Clark: Ka pasur përpjekje të serbëve për të spastruar etnikisht veriun
Gjenerali Clark u pyet për tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve në korrik të vitit 1999 në qytetin e Mitrovicës. Ai tha se “nuk kam menduar asnjëherë që UÇK-ja” ka organizuar trazira, por pohoi se ka pasur presion që shqiptarët të nxirreshin nga pjesa veriore e lumit Ibër.
“Nuk mendoj se ka qenë e organizuar. Nuk e kam pasur kurrë përshtypjen se kjo ka qenë e organizuar nga UÇK-ja. Këto ishin grupe individuale”, tha Clark.
Ai kujtoi se ishte ankuar te sekretari i atëhershëm i NATO-s dhe ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të Francës, pasi atje ishin të dislokuar trupat franceze të KFOR-it, për shkak, siç u shpreh, përpjekjes së serbëve për ta spastruar nga shqiptarët pjesën veriore të Ibrit.
“Jam takuar me ministrin [e Mbrojtjes të Francës, Alain] Richard që më tha jo u kemi dhënë urdhër trupave franceze që të mbrojnë serbët në atë zonë dhe të mbështesin ata. Kemi pasur vështirësi për këtë. Por kështu funksionojnë trupat e NATO-s. Më vonë kam çuar përforcime atje në mënyrë që shqiptarët të mund të jetojnë atje”, tha Clark.
Clark: UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues
Më shumë lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Clark theksoi se nuk ka pasur kontroll civil mbi UÇK-në.
Ndërsa i pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clark tha shkurtimisht: “Jo”.
Takimi me Thaçin
Clark tha se në takim me delegacionin shqiptar në bisedimet e paqes në Rambuje më 1999, e kishte takuar edhe Hashim Thaçin disa herë.
Ai tha se Thaçi nuk ishte komandanti ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kur u takova me të herën e tretë, unë kërkova ndihmë, por nuk mora asnjë ndihmë sepse ai nuk ia kishte idenë fare se çfarë po ndodhte”.
Ai tutje tregoi se e kishte pyetur Thaçin t’i shpjegonte se në cilat pika ndodhej ushtria serbe dhe në cilat UÇK-ja, për ta shmangur shënjestrimin e civileve gjatë bombardimeve.
“Unë e pyeta ku janë ata dhe ku jeni ju? Ku duhet të sulmoj unë në terren, cilat janë caqet e mia? Ai nuk më dha asnjë përgjigje”, tha Clark.
Clark foli edhe për përshtypjet e tij të para për Thaçin, duke e cilësuar si person bindës.
“Ai ishte vetëm njëri nga personave atje. Ishte personi më me autoritet, më i riu dhe më bindësi. Pra, ishte personi që ishte i veshur më së miri, i kishte flokët e palosura në mënyrën më të përshtatshme. Më sa kuptova jetonte në Zvicër dhe fliste gjermanisht, nuk fliste shumë anglisht asokohe, ndërsa unë flisja pak gjermanisht dhe ishte e vështirë të komunikonim”.
Clark: Nuk kishte shumë informacion për UÇK-në më 1998
Tani Misetiq po e pyet Clarkun se sa shumë dinte ai në verën dhe vjeshtën e 1998-tës për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Clark theksoi se “nuk kishte shumë informacione, nuk kishte shumë gjëra për të folur për sa i takon komandës”.
“Më sa dinim ne bëhej fjalë për grupe lokale, që ishin krijuar pak a shumë si përgjigje ndaj shtypjes serbe ndër vite. Në veçanti, pas vrasjes së familjes Jashari, u krijua në alarmi i përgjithshëm dhe për këtë arsye njerëzit gjithnjë e më tepër po i formonin këto grupe lokale. Kaq dinim ne”, tha ai.
Ai tha se asokohe “unë sigurisht mora më shumë informata lidhur me UÇK-në nga serbët, sesa nga forcat tona”.
“Serbët kishin pika në identifikuar në hartë, të cilat i identifikonin si të ashtuquajtura pika terroriste. Ata po mundoheshin të grumbullonin informacione në to, por shumica e njerëzve në këto grupe kishin shtëpi dhe familje. Ata mundoheshin ta jetonin jetën e tyre dhe ta mbronin familjen dhe veten”, dëshmoi Clark.