Deputetët pajtohen ta shtyjnë seancën konstituive pas aktgjykimit të Kushtetueses
Deputetët e zgjedhur janë pajtuar ta shtyjnë vazhdimin e sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për të dielën, më 29 qershor pas aktgjykimit të Gjykata Kushtetuese, e cila një ditë më parë i detyroi ata ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, tha se ky vendim u mor pas një takimi konsultues mes tij dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare.
Ky vendim vjen, sipas tij, gjithashtu pas ftesës që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ua bëri krerëve të partive të tjera parlamentare për një takim për të shtunën, në përpjekje për ta gjetur një marrëveshje politike.
Sa për dijeni, bllokada në Kuvend vjen pasi asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe ka mungesë marrëveshjeje politike mes tyre për të krijuar një shumicë të përbashkët.
Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.
PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9.
Përfundon takimi mes kryesuesit dhe përfaqësuesve të partive
Një takim konsultues mes kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare ka përfunduar.
Deputetët janë duke u kthyer në sallën e Kuvendit, kur pritet së shpejti të fillojë vazhdimi i 38-të i seancës konstituive.
Limaj e pranon ftesën e Kurtit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se do të shkojnë në takimin e ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i thirrur për të shtunën.
Limaj tha se nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër përpos bashkëpunimit në mes të partive politike.
Duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Limaj, tha se Gjykata ka thënë qartë se “zgjidhja e situatës është përgjegjësi e partive politike”.
Dehari i fton përfaqësuesit e partive parlamentare për konsultim
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i ka thirrur përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare për një konsultim në prag të fillimit të mbledhjes konstituive.
Deputetët janë mbledhur sot për vazhdimin e 38-të të seancës së thirrur më 15 prill, në përpjekje për ta bërë Kuvendin e ri, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në takim po marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare.
*Drejtpërdrejt: