Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 27 qershor 2025.
Kuvendi i Kosovës, 27 qershor 2025.

Deputetët pajtohen ta shtyjnë seancën konstituive, pas aktgjykimit të Kushtetueses

• Deputetët u pajtuan për t'u takuar më 29 qershor në përpjekje për ta bërë Kuvendin pas një momentumi të ri

• Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të detyruar ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik

• Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ftoi të gjithë liderët e partive parlamentare në një takim për të gjetur pajtim për konstituimin e Kuvendit

• Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit

• Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re


11:02 27.6.2025

Haradinaj: I domosdoshëm bashkëpunimi mes forcave politike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se bashkëpunimi mes forcave politike është i domosdoshëm për të arritur deri te konstituimi i Kuvendit.

Haradinaj tha se, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, "janë pjekur kushtet për të kthyer votimin e hapur".

Haradinaj tha se do të kërkojnë një konsultë me kryesuesin e seancës, Avni Dehari.

Në këtë konsultë, Haradinaj tha se do të kërkohet mundësia e rikthimit të votimit të hapur dhe të mos procedohet me përpjekjen për votim të fshehtë.

Ramush Haradinaj. Foto nga arkivi.
Ramush Haradinaj. Foto nga arkivi.
10:57 27.6.2025

Haxhiu: Nëse s’i marr 61 vota në votim të fshehtë, tërhiqem

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është zotuar se do të tërhiqet nëse deputetët nuk e votojnë në votim të fshehtë.

Duke folur në një konferencë për media para seancës konstituive, Haxhiu u bëri thirrje partive parlamentare të votojnë për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për kryeparlamentar.

Albulena Haxhiu. Foto nga arkivi.
Albulena Haxhiu. Foto nga arkivi.

“Nëse unë, si kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk i marr së paku 61 vota, tërhiqen nga kandidatura për kryetare të Kuvendit”, tha Haxhiu.

Sa për dijeni, votimi i fshehtë është kundërshtuar plot 28-të herë nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat në secilën herë refuzuan të propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.

Haxhiu shihet si “figurë përçarëse” nga disa prej këtyre partive.

10:33 27.6.2025

Konjufca: Gjykata nuk gjeti shkelje në lidhje me votimin e fshehtë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i ka hedhur poshtë interpretimet se Gjykata Kushtetuese gjeti se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Vetëvendosjes, e shkeli Kushtetutën duke propozuar votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Duke folur në një konferencë për media në prag të seancës konstituive, Konjufca tha se interpretimi i Vetëvendosjes është se Gjykata Kushtetuese “nuk ka gjetur asnjë shkelje” në votimin e fshehtë.

Ai tha se ata që thonë se Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimit të fshehtë, “janë lexues të dobët” të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Ata ose nuk e kanë lexuar vetë ose e interpretojnë gabimisht, ose interpretojnë me interpretime të të tjerëve”, tha Konjufca.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani tha në lidhje me votimin e fshehtë, i cili e ka shkaktuar ngërçin tani, se “asnjëherë nuk ka pasur votim të fshehtë për konstituimin e Kuvendit. Gjykata e ka thënë këtë”, theksoi Hasani.

Konjufca gjithashtu tha se nga këndvështrimi i leximit të vendimit të Kushtetueses nga Vetëvendosje, detyrimi për ta përfunduar konstituimin e Kuvendit është i të gjithëve dhe jo vetëm i partisë fituese.

“E kemi LDK-në, me qëndrimin më radikal, e cila nuk merr fare pjesë në asnjë votim, as për kryetarin as për komisionin për votim të fshehtë. I kemi edhe partitë e tjera që i kanë dhënë propozimet e tyre”, shtoi ai.

10:05 27.6.2025

Kurti i thërret krerët e partive parlamentare në takim në lidhje me konstituimin e Kuvendit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njoftoi se i ka thirrur të gjithë liderët e partive parlamentare në një takim për të gjetur marrëveshje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës, tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson “qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë”.

Ai tha se takimin e ka thirrur për të shtunën në orën 16:00.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG