Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 27 qershor 2025.
Kuvendi i Kosovës, 27 qershor 2025.

Deputetët pajtohen ta shtyjnë seancën konstituive, pas aktgjykimit të Kushtetueses

• Deputetët u pajtuan për t'u takuar më 29 qershor në përpjekje për ta bërë Kuvendin pas një momentumi të ri

• Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të detyruar ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik

• Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ftoi të gjithë liderët e partive parlamentare në një takim për të gjetur pajtim për konstituimin e Kuvendit

• Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit

• Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re


09:22 27.6.2025

Deputetët mblidhen për ta bërë Kuvendin, pas vendimit të Kushtetueses

Përshëndetje të nderuar lexues,

Radio Evropa e Lirë do ta mbulojë drejtpërdrejt vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Qëndroni me ne për t’i mësuar më të rejat hap pas hapi.

Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot për ta vazhduar seancën konstituive për herë të 38-të, që nga 15 prilli kur u thirr ajo.

Por, përpjekja e sotme vjen pas disa ndryshimeve, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.

Megjithatë, Kushtetuesja nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë, një nga pikat kyç të ngërçit në Kuvend.

Më shumë rreth vendimit të Kushtetueses mund të lexoni në artikullin më poshtë:

09:37 27.6.2025

Çfarë thanë partitë parlamentare për vendimin e Kushtetueses?

Partitë parlamentare e kanë interpretuar në mënyra të ndryshme vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke lënë të kuptohet bllokada në Kuvend pritet të vazhdojë edhe në grumbullimin e parë pas vendimit.

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke komentuar aktgjykimin, tha se “votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra është i lejuar".

“Të gjitha partitë duhet të angazhohen për ta konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në Kryesinë e Kuvendit”, tha Murati.

Por, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se “rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt”.

“Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa”, shtoi ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se vendimi përcaktoi se Vetëvendosje "nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, se duhet të sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet parlamentare".

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se kjo parti nuk mund të mos shprehet e lehtësuar që kërkesa e saj për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është “pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar”.

09:46 27.6.2025

Gjykata konfirmoi se votimi i fshehtë është jokushtetuese, sipas Hasanit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë se aktgjykimi i Kushtetueses, në mënyrë të qartë, ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.

“...që nënkupton se ajo që është bërë nga z. [kryesuesi i seancës konstituive, Avni] Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani.

Në takimin e 8 prillit, nuk ishte marrë asnjë vendim për votim të fshehtë.

Hasani, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha në lidhje me votimin e fshehtë, i cili e ka shkaktuar ngërçin tani, se “asnjëherë nuk ka pasur votim të fshehtë për konstituimin e Kuvendit. Gjykata e ka thënë këtë”, theksoi Hasani.

Sa për dijeni, votimi i fshehtë është kundërshtuar plot 28-të herë nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat në secilën herë refuzuan të propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.

Më shumë rreth intervistës së Hasanit për REL-in, në artikullin më poshtë:

10:00 27.6.2025

Çfarë rrezikon Kosova në mungesë të institucioneve të reja?

Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja edhe katër muaj pas mbajtës së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

Vonesat në formimin e institucioneve të reja i shkaktojnë Kosovës telashe politike e financiare.

Për shembull, në mungesë të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botërore, Kosova është duke rrezikuar humbjen e 230 milionë eurove.

Ajo rrezikon të humbë të ardhura edhe nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE), nëse nuk e ratifikon marrëveshjen në Kuvend.

Ndërsa, kriza politike po reflektohet edhe në vonesa për integrimin e Kosovës në struktura ndërkombëtare, pasi Qeveria aktuale në detyrë nuk ka legjitimitet për të marrë vendime të rëndësishme strategjike në emër të Kosovës.

Më shumë rreth kësaj çështje mund të lexoni në newsletter-in tonë:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG