Çfarë ndodhi sot në Kuvend?
Të nderuar lexues, këtu po e përmbyllim mbulimin e ngjarjeve që ndodhën sot në Kuvendin e Kosovës, lidhur me konstituimin e organit ligjvënës.
Më poshtë mund ta shikoni e ta lexoni një përmbledhje të asaj që ndodhi sot.
Tubimi i deputetëve të zgjedhur për mandatin e ri të Kuvendit të Kosovës kaloi shpejt edhe këtë të premte, megjithëse me disa të reja.
Sot shënoi hera e 38-të që deputetët u mblodhën për ta bërë Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, në një seancë konstituive të thirrur më 15 prill.
Deputetët u pajtuan që ta shtyjnë takimin për të dielën, 29 qershor, në pritje të një takimi të liderit të LVV-së, Albin Kurti, me krerët e partive të tjera parlamentare dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kurti i ftoi të gjithë krerët e partive parlamentare për një takim për të shtunën në orën 16:00. Krerët e partive më të mëdha parlamentare thanë se do të shkojnë në takim.
Një momentum i ri u krijua të enjten në mbrëmje, pas shumë e shumë përpjekjeve të dështuara, kur Gjykata Kushtetuese shpalli vendim që i detyron ata ta bëjnë Kuvendin.
Gjykata vendosi se deputetët janë të detyruar ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.
I kemi pyetur sot disa qytetarë në Prishtinë se si e shohin bllokadën në Kuvendin e Kosovës.
Dëgjojini çfarë thonë ata:
Gruda: PDK-ja kërkon rikthim të votimit të hapur
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, tha Lëvizja Vetëvendosje nuk po bën asnjë veprim drejt zhbllokimit të situatës në konstituimin e Kuvendit.
Gruda tha se takimi i thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk është kompromis politik.
Sipas tij, zgjidhja është kthimi në votim të hapur pasi sipas tij, këtë frymë e përfaqëson edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Bajrami: Kurti ka thirrur takim për shou mediatik
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës - (LDK), Hykmete Bajrami, tha se Lëvizja Vetëvendosje është e interesuar që të vazhdojë situatën e njëjtë, mos-konstituimin e Kuvendit.
Bajrami tha se Kosova është në këtë ngërç politik “për shkak të kokëfortësisë dhe insistimit të Vetëvendosjes” në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Bajrami tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është duke ua pamundësuar deputetëve të LDK-së, që të votojnë, ndërkohë që ka konfirmuar se Lidhja Demokratike e Kosovës, do të merr pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të shtunën, me qëllim të arritjes së një marrëveshje politike.