Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Drejtpërdrejt Shtyhet seanca konstituive e Kuvendit pas kërkesës së Kurtit për kohë për një marrëveshje për presidentin

E përditësuar
  • Seanca konstituive u shty për kohë të papërcaktuar nga kryesuesi Dehari
  • Deputetët bënë betimin, por mbeti në gjysmë zgjedhja e nënkryetarëve dhe kryetarit
  • Lideri LVV-së Albin Kurti nuk e propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për bisedime
  • Bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së nuk kanë sjellë fryt deri tani.
  • Partitë parlamentare kanë rreth dy muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje.
09:07

Çfarë është në lojë?

Partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk parashihet të ketë telashe për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta formuar Qeverinë e re, me 53 mandate e siguruar dhe bashkëpunimin e saj me pakicat joserbe, që gëzojnë 10 ulëse.

Por, një çështje që e solli vendin në këtë pikë mund të përsëritet, zgjedhje e presidentit, për të cilin kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë për të qenë i vlefshëm votimi.

Kurti ka mbajtur bisedime me liderin e Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, në prag të kësaj seance, por ata nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje.

Një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, e cila ka 18 deputetë, do të mund t’i siguronte votat dhe kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

Megjithatë, prapëseprapë mbetet e paqartë nëse një marrëveshje e tillë mund të siguronte mbështetjen e të gjithë deputetëve të LDK-së, për shkak të mospajtimeve të brendshme në këtë parti.

Dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike dhe Aleanca, i kanë hedhur poshtë ofertat për bisedime nga Kurti, duke zgjedhur të qëndrojnë në opozitë.

Kjo është hera e dytë këtë vit, dhe e treta në më pak se dy vjet, që Kosova provon të formojë institucione të qëndrueshme, pas zgjedhjeve të njëpasnjëshme parlamentare të shkaktuara nga mungesa e konsensusit politik.

Zgjedhjet e qershorit u mbajtën sepse Kuvendi u shpërnda pasi dështoi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit.

Cikli i njëjtë do të përsëritet nëse në dy muajt në vijim nuk ka marrëveshje politike për presidentin.

08:55

Si duket Kuvendi pas zgjedhjeve të shtatorit?

Ndarja e vendeve në Kuvend.
Ndarja e vendeve në Kuvend.
08:28

Rendi i ditës

Kryesia e Kuvendit njoftoi se në rend dite për seancën konstituive janë katër pika, ndër to zgjedhja e 5 nënkryetarëve, prej të cilëve 2 që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, si dhe zgjedhja e kryetarit të ri.

Rendi i ditës:

1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
2. Betimi i deputetëve,
3. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit,
4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

08:23

Mirëmëngjesi lexues të dashur,

Radio Evropa e Lirë do t’i mbulojë drejtpërdrejt zhvillimet në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët pritet ta bëjnë betimin dhe të votojnë për t’i zgjedhur nënkryetarët dhe kryetarin e Kuvendit, dhe kështu ta përfundojnë me sukses konstituimin e organit ligjvënës.

Na ndiqni!

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG