Ndërlidhjet

James Rubin në Gjykatën në Hagë, 15 shtator 2025.
James Rubin në Gjykatën në Hagë, 15 shtator 2025.

Çfarë tha James Rubin në ditën e parë të dëshmisë në Hagë?

• Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ishte i pari që hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë më 15 shtator.

• Gjatë dëshmisë, Rubin tha se ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, nuk kishte autoritet të plotë mbi UÇK-në - për vendimet ushtarake ai duhej të merrte udhëzime nga komandantët.

• Aktakuza ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim - akuza që ata i kanë mohuar.


13:59 15.9.2025

Krasniqi ndër "të moderuarit e UÇK-së"

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, pyeti po ashtu Rubinin nëse pajtohet që Krasniqi, Ramë Buja dhe Sokol Bashota ishin udhëheqës të moderuar brenda UÇK-së.

Rubin pohoi se kjo është e vërtetë, duke shtuar se "ekstremistët brenda UÇK-së rrezikonin jetën e mijëra civilëve", ndërsa "të moderuarit si Krasniqi e Thaçi synonin nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë për të siguruar mbështetjen e Perëndimit dhe për të mbrojtur popullsinë".

James Rubin para Dhomave të Specializuara, 15 shtator 2025.
James Rubin para Dhomave të Specializuara, 15 shtator 2025.


14:33 15.9.2025

Seanca në Dhomat e Specializuara aktualisht është në pauzën e drekës.

Kjo është një përmbledhje e asaj që dëshmoi James Rubin deri më tash:

  • Thaçi vepronte kryesisht si udhëheqës politik, pa kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.
  • Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.
  • Thaçi, Krasniqi dhe disa udhëheqës të tjerë të UÇK-së ishin të moderuar dhe përpiqeshin të siguronin mbështetjen perëndimore.
  • Thaçi e konsideronte Amerikën simbol të fuqisë dhe prioriteti i tij kryesor ishte mbështetja e SHBA-së.
  • Nuk ka asnjë informacion që lidh Thaçin ose Krasniqin me krime lufte ose ekzekutime.
15:01 15.9.2025

Për ju që sapo na jeni bashkuar...

Derisa pauza e drekës vazhdon, ju kujtojmë se ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, është i pari që hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë.

Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.

Në vitin 1999, ai ishte i angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në rolin e dëshmitarit, ai u thir nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së.

Thaçi vepronte kryesisht si udhëheqës politik, pa kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së, dhe duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak, tha Rubin gjatë dëshmisë.

Hashim Thaçi dhe James Rubin, 1999.
Hashim Thaçi dhe James Rubin, 1999.

Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre, nisur nga 15 shtatori, është konfidenciale.

Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra - në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

15:22 15.9.2025

Rinis seanca

Seanca e dëshmisë rinisi pas pauzës së drekës me një deklaratë nga dy përfaqësuese të Qeverisë amerikane, të pranishme në sallë, të cilat theksuan se synojnë të mos ndërhyjnë dhe të mos e ndërpresin procesin, duke shtuar se mund të ndërhyjnë vetëm në raste të veçanta lidhur me burimet brenda Qeverisë së SHBA-së.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG