Mirëmëngjes nga Radio Evropa e Lirë,
Sot do të mbulojmë drejtpërdrejt dëshminë e mbrojtjes në gjykimin e katër ish-eprorëve të UÇK-së - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi - para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Me ju do të jem unë Valona Tela.
Na ndiqni!
Kush do të dëshmojë?
Sot, i pari që do të dalë në bankën e dëshmitarëve është James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjet kyçe të luftës në Kosovë.
Javën e kaluar ai tha se ka shumë për të treguar mbi atë periudhë, ndërsa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 11 prill 2023, Rubin theksoi se “UÇK-ja luajti rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në çmilitarizimin e premtuar prej tyre”.
Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre, nisur nga 15 shtatori, është konfidenciale.
Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra - në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.
Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.
Kush është James Rubin?
James Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.
Ai ka shërbyer si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Rubin ka qenë këshilltar diplomatik i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përveç karrierës diplomatike, Rubin ka shërbyer si profesor dhe komentator në institucione prestigjioze si Oxford, Universiteti Columbia dhe Shkolla Ekonomike e Londrës, dhe është nderuar me çmime të larta për arritjet e tij profesionale.
Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi?
Aktakuza u ngarkon atyre përgjegjësi për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme të Kosovës, si dhe në veri të Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, viktimat përfshinin persona të dyshuar se ishin kundër UÇK-së dhe më vonë Qeverisë së përkohshme të Kosovës - në mesin e tyre: anëtarë të komuniteteve serbe, rome dhe ashkali, katolikë, civilë të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe, si dhe shqiptarë që mbështetën parti të tjera ose nuk iu bashkuan UÇK-së.
Dhomat e Specializuara theksojnë se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime.
Të katër të akuzuarit e mohojnë fajësinë.
Mbrojtja thotë se aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të incidenteve.