Ndërlidhjet

James Rubin në Gjykatën në Hagë, 15 shtator 2025.
James Rubin në Gjykatën në Hagë, 15 shtator 2025.

Çfarë tha James Rubin në ditën e parë të dëshmisë në Hagë?

• Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ishte i pari që hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë më 15 shtator.

• Gjatë dëshmisë, Rubin tha se ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, nuk kishte autoritet të plotë mbi UÇK-në - për vendimet ushtarake ai duhej të merrte udhëzime nga komandantët.

• Aktakuza ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim - akuza që ata i kanë mohuar.


15:38 15.9.2025

Rubin: Krasniqi kërkoi dërgimin e trupave tokësore

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin kujtoi një takim me Krasniqin në prill të vitit 1999, duke e përshkruar si një moment të vështirë për situatën e luftës në Kosovë.

Krasniqi kërkonte masa që nuk mund të zbatoheshin, si dërgimi i trupave tokësore në Kosovë, për t'u kujdesur për sigurinë e civilëve, tha Rubin.

Sipas tij, presidenti amerikan, Bill Clinton, e kishte përjashtuar atëkohë mundësinë e dërgimit të trupave tokësore.

"...sepse kjo do të thoshte se Clinton do të duhej të ndryshonte politikën e tij për të mos dërguar trupa tokësore", tha Rubin.

Jakup Krasniqi, prill 1999.
Jakup Krasniqi, prill 1999.
16:00 15.9.2025

Rubin: Nuk kisha dijeni për publikimin e emrave të UÇK-së në gusht 1998

Rubin u pyet nga një prokuror nëse ishte i informuar për publikimin e emrave të përfaqësuesve politikë të UÇK-së gjatë gushtit 1998, duke përfshirë Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, Bardhyl Mahmutin dhe Sokol Bashotën.

Rubin u përgjigj se nuk kishte qenë në dijeni për këtë dokument në atë kohë.

Më pas, prokurori e pyeti nëse kishte dijeni për takimin mes Shaun Byrnes, i cili udhëhoqi Misionin Diplomatik të SHBA-së për Kosovën, dhe përfaqësuesve të UÇK-së më 1998.

"Me aq sa më kujtohet, nuk e kam njohur Hashim Thaçin para Konferencës së Rambujesë, më 1999”, tha Rubin, duke shtuar se "kanë kaluar 27 vjet nga ajo kohë".

Prokuroria duke marrë në pyetje Rubinin.
Prokuroria duke marrë në pyetje Rubinin.


16:23 15.9.2025

Rubin: Hill përpiqej të dëmtonte figurën time dhe të Albrightit

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin tha se ndërmjetësuesi i SHBA-së për Kosovën në Rambuje, Christopher Hill, kishte bërë përpjekje të dëmtonte figurën e tij, por edhe të sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

“Christopher Hill kishte njëanshmëri që e vëreja gjatë gjithë kohës së tij si udhëheqës - njëanshmëri në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së. Unë nuk kisha asnjë anshmëri dhe isha i ftuar të punoja me udhëheqësin e zgjedhur të organizatës”.

“Christopher Hill këtu po tregonte njëanshmëri, po përpiqej të më zvogëlonte rolin tim, e bëri këtë në mënyrë të përsëritur dhe po ashtu u përpoq ta zvogëlonte edhe sekretaren Albright para gazetarëve, duke pretenduar gabimisht se ajo e kishte favorizuar udhëheqësin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, kur në fakt ishte delegacioni shqiptar i Kosovës që e kishte zgjedhur atë si udhëheqës, dhe miratimi i tij ishte i domosdoshëm që ne të arrinim objektivat”, tha Rubin.

Prokurori e pyeti nëse Albright e kishte inkurajuar të krijonte marrëdhënie me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë dhe Rubin konfirmoi se po, duke pranuar se "përqendrimi i tij ishte veçanërisht te Thaçi".

Prokurori pyeti, gjithashtu, nëse i kishte dhënë këshilla Thaçit për veshjen, por Rubin tha se kjo nuk ishte domosdoshmëri.

Ai tha se Hill kishte folur për këtë çështje.

I dërguari special i SHBA-së, Richard Holbrooke (djathtas), dhe ndërmjetësin amerikan, Christopher Hill. Mars, 1999.
I dërguari special i SHBA-së, Richard Holbrooke (djathtas), dhe ndërmjetësin amerikan, Christopher Hill. Mars, 1999.
16:40 15.9.2025

Kush është Christopher Hill?

Christopher Hill është një diplomat karriere i SHBA-së, i cili shërbeu si i dërguar special gjatë luftës në Kosovë dhe mori pjesë drejtpërdrejt në negociatat e Rambujesë në vitin 1999.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në qershor të këtij viti, Hill tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin vetë problemet, pasi SHBA-ja nuk mund të ndërhyjë më si dikur.

I pyetur për perceptimin e njëanshmërisë gjatë kohës si ambasador në Serbi (2022–2024), Hill tha:

“Qasja ime është të veproj sipas mënyrës se si Qeveria e SHBA-së dëshiron që çështjet të trajtohen. Ne kemi shumë interesa në Serbi që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG