Ndërlidhjet

James Rubin në Gjykatën në Hagë, 15 shtator 2025.
James Rubin në Gjykatën në Hagë, 15 shtator 2025.

Çfarë tha James Rubin në ditën e parë të dëshmisë në Hagë?

E përditësuar

• Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ishte i pari që hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë më 15 shtator.

• Gjatë dëshmisë, Rubin tha se ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, nuk kishte autoritet të plotë mbi UÇK-në - për vendimet ushtarake ai duhej të merrte udhëzime nga komandantët.

• Aktakuza ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim - akuza që ata i kanë mohuar.


17:19

Lexues të nderuar, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, e përfundoi dëshminë e tij më 15 shtator, ndërsa pritet të vazhdojë edhe nesër.

Ai ishte i ftuar nga ekipi i Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin theksoi se Thaçi kishte kryesisht rol politik dhe se nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.

Ai tha se Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.

Ai, gjithashtu, deklaroi se nuk kishte asnjë informacion që lidh Thaçin ose të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje apo ekzekutime.

James Rubin gjatë dëshmisë, më 15 shtator 2025.
James Rubin gjatë dëshmisë, më 15 shtator 2025.

Këtu e mbyllim edhe ne mbulimin e drejtpërdrejtë të kësaj ngjarjeje.

Faleminderit që na ndoqët!


17:01

Një përmbledhje e dëshmisë së deritashme të Rubinit

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Ai e përshkroi rolin e Thaçit në UÇK si politik, duke theksuar se nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët.

Dëshmia e Rubinit në Speciale: Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-në
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:22 0:00
16:40

Kush është Christopher Hill?

Christopher Hill është një diplomat karriere i SHBA-së, i cili shërbeu si i dërguar special gjatë luftës në Kosovë dhe mori pjesë drejtpërdrejt në negociatat e Rambujesë në vitin 1999.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në qershor të këtij viti, Hill tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin vetë problemet, pasi SHBA-ja nuk mund të ndërhyjë më si dikur.

I pyetur për perceptimin e njëanshmërisë gjatë kohës si ambasador në Serbi (2022–2024), Hill tha:

“Qasja ime është të veproj sipas mënyrës se si Qeveria e SHBA-së dëshiron që çështjet të trajtohen. Ne kemi shumë interesa në Serbi që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën”.

16:23

Rubin: Hill përpiqej të dëmtonte figurën time dhe të Albrightit

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin tha se ndërmjetësuesi i SHBA-së për Kosovën në Rambuje, Christopher Hill, kishte bërë përpjekje të dëmtonte figurën e tij, por edhe të sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

“Christopher Hill kishte njëanshmëri që e vëreja gjatë gjithë kohës së tij si udhëheqës - njëanshmëri në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së. Unë nuk kisha asnjë anshmëri dhe isha i ftuar të punoja me udhëheqësin e zgjedhur të organizatës”.

“Christopher Hill këtu po tregonte njëanshmëri, po përpiqej të më zvogëlonte rolin tim, e bëri këtë në mënyrë të përsëritur dhe po ashtu u përpoq ta zvogëlonte edhe sekretaren Albright para gazetarëve, duke pretenduar gabimisht se ajo e kishte favorizuar udhëheqësin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, kur në fakt ishte delegacioni shqiptar i Kosovës që e kishte zgjedhur atë si udhëheqës, dhe miratimi i tij ishte i domosdoshëm që ne të arrinim objektivat”, tha Rubin.

Prokurori e pyeti nëse Albright e kishte inkurajuar të krijonte marrëdhënie me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë dhe Rubin konfirmoi se po, duke pranuar se "përqendrimi i tij ishte veçanërisht te Thaçi".

Prokurori pyeti, gjithashtu, nëse i kishte dhënë këshilla Thaçit për veshjen, por Rubin tha se kjo nuk ishte domosdoshmëri.

Ai tha se Hill kishte folur për këtë çështje.

I dërguari special i SHBA-së, Richard Holbrooke (djathtas), dhe ndërmjetësin amerikan, Christopher Hill. Mars, 1999.
I dërguari special i SHBA-së, Richard Holbrooke (djathtas), dhe ndërmjetësin amerikan, Christopher Hill. Mars, 1999.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG