Rubin: Albright i kërkoi Thaçit të tregonte tolerancë
Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara, Rubin u pyet nga avokati i Thaçit nëse i kujtohej që ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, i kishte thënë Thaçit se do të mbante përgjegjësi penale për krimet që mund të kryheshin në Kosovë, pas hyrjes së KFOR-it.
“Jo, nuk më kujtohet”, u përgjigj Rubin.
Ai sqaroi se Albright e kuptonte rëndësinë e hetimit të krimeve, por qëllimi i saj ishte të ndëshkoheshin individët përgjegjës për dhunën dhe të mos lejohej fajësimi kolektiv.
Sipas Rubinit, Albright i kishte kërkuar Thaçit të tregonte tolerancë dhe të bënte çmos që edhe populli i tij të ishte tolerant, ndërsa drejtësia do të kujdesej për përgjegjësinë individuale të atyre që kryen dhunë.
Rubin: Qëllimi ishte të mbroheshin civilët
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, e pyeti Rubinin për arsyetimin pas ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë.
Rubin tha se pas Bosnjës, ku ndodhën krime të tmerrshme, qëllimi ishte të mbroheshin civilët dhe të parandalohej përsëritja e atij tmerri.
Sipas tij, shqiptarët e Kosovës po vriteshin vetëm pse ishin shqiptarë.
“Donim të ishim në anën e viktimave. Ata, jo vetëm që ishin të shtypur, por po masakroheshin”, tha Rubin.
“Synimi ishte që njerëzit të ishin të lirë dhe të mos ndiqnin politikat e shtypësit të tyre”, shtoi ai.
Rubin: Informacionet kryesore merreshin për lëvizjet e forcave serbe
Avokati i Veselit pyeti Rubinin nëse kishte marrë informacione nga Shaun Byrnes, i cili drejtonte Misionin Vëzhgues Diplomatik të SHBA-së në Kosovë, gjatë luftës.
Rubin u përgjigj se po, duke e cilësuar Byrnesin si një burim të besueshëm që jepte të dhëna të sakta, sidomos mbi lëvizjet e forcave serbe.
Kur u pyet nëse merrte informacione nga UÇK-ja, Rubin tha "mbase jo", duke shtuar se fokusi kryesor ishte te veprimet e ushtrisë serbe.
Ai theksoi se informacionet për UÇK-në vinin kryesisht nga inteligjenca dhe kanalet diplomatike që kishin kontakte me shqiptarët e Kosovës.
“Lufta po zhvillohej. UÇK-ja mori në dorë fatin e njerëzve të vet. UÇK-ja u përgjigj dhe Serbia u kundërpërgjigj”, tha Rubin.
Rubin: Me Krasniqin kam pasur kontakt minimal
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, pyeti Rubinin nëse kishte pasur ndonjë kontakt me Krasniqin.
“Kam pasur kontakte minimale me Krasniqin. Bashkëbiseduesi im kryesor ishte Thaçi”, u përgjigj Rubin.
I pyetur nëse kishte gjetur informacione që e lidhnin atë me pretendimet për ekzekutime dhe vrasje, Rubin tha se, ngjashëm sikurse për Thaçin, nuk ishte hasur në asnjë informacion që e lidhte atë me këto pretendime.
“Kam pyetur të gjithë ata që mund të kishin informacione për këto pretendime, jo vetëm në vitet 2000, por edhe më vonë. Por, asnjëherë nuk kam marrë ndonjë informacion që t’i lidhte këto pretendime me ta”, tha Rubin.