Ndërlidhjet

James Rubin në Gjykatën në Hagë, 15 shtator 2025.
James Rubin në Gjykatën në Hagë, 15 shtator 2025.

Çfarë tha James Rubin në ditën e parë të dëshmisë në Hagë?

E përditësuar

• Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ishte i pari që hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë më 15 shtator.

• Gjatë dëshmisë, Rubin tha se ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, nuk kishte autoritet të plotë mbi UÇK-në - për vendimet ushtarake ai duhej të merrte udhëzime nga komandantët.

• Aktakuza ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim - akuza që ata i kanë mohuar.


09:21

Kur pritet të përfundojnë dëshmitë e mbrojtjes?

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parashikon që deri më 14 nëntor, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së fundit, të mbyllet rasti i mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së pritet të jetë gati për të dorëzuar shkresat përfundimtare të gjykimit deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Gjatë konferencës së fundit statusore, mbrojtja e Thaçit deklaroi se do t’i nevojiteshin 35.5 orë për dëshminë e dëshmitarëve të saj.

Mbrojtja e Krasniqit njoftoi se dy dëshmitarë do të dëshmojnë personalisht në gjykatë, ndërsa dy të tjerët do të paraqesin dëshminë me shkrim, e cila tashmë u është dorëzuar prokurorëve.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi

Bazuar në këtë planifikim, gjykatësi vlerësoi se për përfundimin e dëshmive do të duhen rreth 35 ditë pune - me pesë orë dëshmi në ditë - duke parashikuar përfundimin e tyre në dhjetor.

Ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit njoftuan, ndërkohë, se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse.

09:30

Çka tha James Rubin për UÇK-në në vitin 2023?

Ish-zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, tha në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë dy vjet më parë se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka evoluuar.


09:45

Kujtojmë se çka është Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale, u krijuan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ka në përbërje gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Selia e saj u vendos në Hagë për të shmangur kërcënimin e dëshmitarëve.

Ideja për ta krijuar atë lindi pasi Këshilli i Evropës miratoi një rezolutë që i bënte thirrje Kosovës të hetonte akuzat e bëra nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, i cili, në vitin 2010, i akuzoi anëtarët e UÇK-së për krime lufte dhe trafikim organesh.

Akuzat për trafikim organesh nuk janë vërtetuar dhe nuk përfshihen në aktakuzën aktuale.

Gjykata Speciale në Hagë
Gjykata Speciale në Hagë
09:56

James Rubin del në bankën e dëshmitarëve

James Rubin para Dhomave të Specializuara në Hagë.
James Rubin para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, nisi pak minuta pas orës 9:00 dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ai është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit - i akuzuar për krime lufte.

Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy deri në tri ditë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG