Rubin: Thaçi s'mund të diktonte regulla dhe kushte brenda UÇK-së
Rubin tha se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të diktuar rregulla dhe kushte brenda UÇK-së, duke u detyruar të konsultohej me persona të tjerë për miratimin e vendimeve.
Ai tha se disa nga këta persona i konsideronte “ekstremistë”, të cilët, sipas tij, kërkonin veprime të menjëhershme, ndërsa Thaçi kishte një qasje më pragmatike.
“Ne e bindëm delegacionin shqiptar të Kosovës që pavarësinë do ta kishin, por fillimisht shpëtojeni popullin”, tha Rubin.
Ai shtoi se kur shumica vendosi të përqafonte mbështetjen e NATO-s dhe Perëndimit, grupet ekstremiste humbën ndikimin e tyre.
Rubin tregon se si Thaçi e refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes
Rubin tha se gjatë Konferencës së Rambujesë, Thaçi i shprehu shqetësimet e tij se nuk kishte autoritet të plotë për të nënshkruar marrëveshjen në emër të UÇK-së.
Rubin tregoi se sekretarja Albright i kishte thënë Thaçit se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre nuk do të kishte mbështetje nga Perëndimi.
“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo”, shtoi Rubin, duke shpjeguar se ish-presidenti ishte nën presion nga komandantët e UÇK-së dhe nga financuesit evropianë.
Rubin përmendi se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis që të mund të vazhdohej në fazën tjetër, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.
Por për Thaçin, tha Rubin, nënshkrimi i ndonjë deklarate që s'e specifikonte pavarësinë, do të konsiderohej tradhti.
"Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër", tha Rubin.
"Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë, do të ishte tradhtar", shtoi ai.
Rubin rrëfen ndërveprimet me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë
Rubin rrëfeu për takimin e tij me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë për Kosovën.
Ai tha se Thaçi e kishte njohur përmes televizionit, pasi ai ishte zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
Sekretarja Madeleine Albright e kishte inkurajuar që të bisedonte me Thaçin dhe të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë me të.
“Ne donim të dinim më shumë për udhëheqësin e delegacionit. Ajo më tha: ‘Njihu me të. Ndihmoje që të arrijë në vendimin e duhur’. Dhe kështu bëra”, tha Rubin.
Ai shtoi se gjatë takimeve përpiqej të kalonte sa më shumë kohë me Thaçin, duke ecur bashkë dhe duke diskutuar çështjet e rëndësishme.
Në atë kohë, Thaçi nuk fliste anglisht, ndaj Rubin shpjegoi se shpesh përdorej gjuha e trupit dhe se përkthyesit diplomatikë ishin të pranishëm gjatë bisedimeve.
Rubin rikujton takimin e fundit me Thaçin
Rubin u pyet për takimin e fundit me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin tha se ka ndodhur në vitin 2019.
Rubin tha se, atëkohë, kishte një kontratë me Qeverinë e Kosovës për të përfaqësuar përpjekjet e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë.
“Unë isha shumë i gëzuar që ta shoh”, tha Rubin, duke kujtuar momentin e takimit.
Ai shtoi se përpjekjet e tyre synonin të sillnin paqe mes Kosovës dhe Serbisë dhe të siguronin njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.
“Pikërisht këtë synova në punën time me të - t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës dhe njohja e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri. Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme”, tha Rubin.