Ndërlidhjet

Liria e shprehjes, apo liria e fesë?


Nga grupi feminist rus Pussy Riot në Moskë, deri te filmi kundër Profetit Muhamed, tensione mes lirisë së fesë dhe lirisë së fjalës, zunë titujt kryesorë të lajmeve në vitin 2012.

A e kam të drejtën të ta shaj fenë?

Ishte kjo një pyetje që i zuri titujt kryesorë të këtij viti, nga gjykimi i grupit rus Pussy Riot, deri te protestat në botën myslimane për filmin që u tha se e ka fyer Profetin Muhamed.

Në të dy rastet, individë të caktuar nisën sulme të diskutueshme mbi fenë, duke shkaktuar reagime të ashpra që krijuan polemika edhe më të mëdha.

Në shkurt, pesë anëtare të grupit punk-rock, feministet Pussy Riot, organizuan një përformancë në Katedralen e Moskës “Christ the Savior”.

Performanca e paautorizuar, e cila protestoi mbështetjen e Kishës Ortodokse të Rusisë ndaj presidentit Vlladimir Putin, u quajt blasfemi nga kisha.

Ndëshkimi erdhi shpejt. Në tetor, dy nga gratë u dënuan me dy vjet në kampet e burgjeve për huliganizëm të motivuar nga urrejtja fetare, ndërsa e treta u lirua me kusht. Anëtaret tjera të Pussy Riot, mbeten në arrati.

Shumë aktivistë të të drejtave të njeriut dhe artistë botërorë e quajtën dënimin më të rëndë se krimin. Ata mendonin se liria e të shprehurit e këtyre grave është sakrifikuar për të mbrojtur fenë, edhe pse blasfemia nuk është një vepër penale në Rusi.

Barbara Trionfi, menaxhere e lirisë së shtypit në Institutin Ndërkombëtar të Shtypit në Vjenë, thotë se raste të tilla në Perëndim zgjidhen zakonisht me ligjin civil, jo atë penal.

"Në rastin e shpifjes, dhe në rastin e fyerjes në përgjithësi, bëhet përdorimi i ligjeve civile – si padia, dhe kjo sigurisht që është një praktikë e cila pranohet absolutisht", tha Trionfi.

Trionfi thotë se blasfemia apo shpifja, të bëra të dënueshme me burg, frikëson individët dhe mediat në vetë censurim. Dhe kjo, nuk ka të bëjë vetëm me kufizimin e lirisë së shprehjes, ajo gjithashtu mbron autoritetet nga kritika.

Polemika tjetër ishte rreth "Pafajësisë së myslimanëve", një film me buxhet të ulët nga një grup i individëve në Shtetet e Bashkuara, i cili përshkruan me tallje Profetin Muhamed. Filmi shkaktoi një reagim të menjëhershëm. Në shtator, të paktën 50 njerëz kanë vdekur në protesta në të gjithë botën myslimane.

Presidenti amerikan Barack Obama tha në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, më 25 shtator, se liria e shprehjes duhet të lejohet për të gjithë, edhe pse disa e abuzojnë atë.

Arma më e fuqishme kundër gjuhës së urrejtjes nuk është represioni, por shprehja edhe më e madhe—zërat e tolerancës që ngriten kundër fanatizmit dhe blasfemisë, që ngrisin vlerat e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë”, është shprehur presidenti amerikan.

Por, presidenti i Egjiptit Muhammad Morsi, dha një pikëpamje tjetër. Ai bëri thirrje për “liri të shprehjes që nuk përdoret për të iniciuar urrejtje ndaj askujt”.

Geneive Abdo nga Qendra Stimson në Washington, D.C. thotë se të dyja pikëpamjet e presidentëve nënvizojnë ndasinë midis Perëndimit dhe botës myslimane, se sa shumë ligji duhet të mbrojë fenë.

Ajo thotë se feja është supreme në vendet myslimane, ku kodet ligjore janë të hartuara nga ligji i Sheriatit dhe ligji laik.

"Si mysliman, të ndalohet ta tallësh profetin në çfarëdo forme, pra, këtu biem në diferencën e opinionit”, theksoi Abdo.

Abdo, po ashtu thotë se perëndimorët që fajësojnë botën myslimane, nuk e kuptojnë thellësinë e ndjenjave të tyre.

"Perëndimi ndonjëherë ka dëshirë t’ia mbush vetes mendjen që vetëm ekstremistët janë ata që djegin ambasada dhe nuk pajtohen me vlerat tona perëndimore. Por, kjo nuk është krejtësisht e saktë. Unë mendoj që shumica e myslimanëve nuk pajtohen me vlerat tona perëndimore, por ata kanë mënyra të ndryshme (paqësore), të shprehin ankesat e tyre", u shpreh ajo.

Filmi "Pafajësia e myslimanëve" ndoshta nuk do të mund të shikohet nga shumë njerëz. Por, ai është kapitulli i fundit në historinë e tensioneve në botën myslimane.

Vitet e ardhshme janë pothuajse të sigurta që do të sjellin mosmarrëveshje të mëtejme. Bota vazhdon të luftojë me atë se si liria e fjalës mund të jetë e balancuar me lirinë e fesë. Por, deri më tani, për këtë çështje, nuk ka asnjë përgjigje universale.(g.k.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG