Ndërlidhjet

Protesta në gjithë botën myslimane


Protesta të reja anti-amerikane
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:30 0:00

Protesta të reja anti-amerikane

Myslimanë të shumtë kanë protestuar të premten në Lindjen e Mesme, të zemëruar nga një film që tall Profetin Muhamed.

Në Sudan dhe Tunizi janë sulmuar ambasadat e Shteteve të Bashkuara. Në Kartum raportohet për një protestues të vrarë dhe disa të plagosur.

“Kjo është një situatë shumë e paqëndrueshme dhe nuk është përgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara, ndaj administratës, ndaj popullit amerikan. Është një përgjigje ndaj një filmi që në e kemi dënuar”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni.

Demonstruesit në kryeqytetin sudanez kanë depërtuar, po ashtu, në Ambasadën e Gjermanisë, duke u vënë zjarrin dritareve. Ata kanë sulmuar edhe Ambasadën britanike, para se policia të përdorte gazin lotsjellës. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, ka dënuar ashpër sulmin.

Protestuesit në Sudan...
Protestuesit në Sudan...
“Do të kërkoj nga autoritetet sudaneze që të garantojnë menjëherë sigurinë e Ambasadës gjermane. Unë dënoj edhe videon anti-islamike, por megjithatë ajo nuk mund të jetë justifikim për shpërthimin e dhunës. Kjo dhunë duhet të ndalojë menjëherë”, ka thënë Vestervelle.

Forcat e sigurisë në kryeqytetin e Jemenit, Sana, kanë përdorur topa uji dhe të shtëna paralajmëruese për të shpërndarë qindra protestues që kanë bërë përpjekje të depërtojnë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara.

Gjetkë në Sana, dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër filmit. Një imam që udhëhiqte protestuesit, dënoi sulmin e së enjtes kundër Ambasadës amerikane, duke thënë se ai “ka fyer Islamin”, njësoj sikurse edhe filmi.

Përleshje janë raportuar edhe në Egjipt, ku Vëllazëria Myslimane fillimisht ka bërë thirrje për “protesta mbarëkombëtare paqësore”, por më vonë ka shfuqizuar apelin nga frika e dhunës. Grupi ka shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk janë përgjegjëse për filmin.

Presidenti i Egjiptit, Muhamed Morsi, ka dalë në televizionin shtetëror për t‘iu bërë thirrje egjiptianëve që të mbrojnë ambasadat e huaja. Ai ka dënuar vrasjen e ambasadorit amerikan në Bengazi të Libisë dhe të tre bashkëpunëtorëve të tij.

Rreth 200 indonezianë kanë protestuar paqësisht jashtë Ambasadës së SHBA-së në Xhakartë, duke brohoritur: “Vdekje Amerikës”.

Ismail Jusanto, zëdhënës i partisë Hizbut Tahrir në Indonezi, i ka bërë thirrje Uashingtonit të ndërmarrë masa kundër filmit.

“Kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara të ndalojnë filmin dhe ta shkatërrojnë atë”, ka thënë Jusanto.

Protestat në Irak...
Protestat në Irak...
Gjatë protestës në Basra të Irakut, lideri fisnor, Sheik Abu Kifah al-Bakatri, po ashtu ka shprehur zemërimin e tij.

“Fiset e Basras bëjnë thirrje për mbylljen e konsullatave amerikane dhe britanike dhe dënojnë fyerjen e Profetit Muhamed. Paqja qoftë mbi të”, është shprehur ai.

Mijëra protestues janë tubuar edhe në Teheran, ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamnej, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të ndëshkojnë fajtorët e “filmit të tmerrshëm”.

Në provincën Nangarhar të Afganistanit, protestuesit kanë djegur një portret të presidentit amerikan, Barak Obama, ashtu si edhe flamuj të Shteteve të Bashkuara.

Një klerik i lartë në Kabul ka thënë se filmi është “vepër e hebrenjve amerikanë”. Imami Enajatullah Baleg ka thënë se presidenti Obama “duhet të mbahet përgjegjës”, sepse “ai nuk ka mundur të kontrollojë një veprim të tillë fyes”.

Në Indi, kompania e internetit Google ka bllokuar qasjen lokale në ueb-faqen YouTube, për të parandaluar shikimin e fragmenteve të filmit. Google nuk ka sqaruar nëse autoritetet indiane kanë kërkuar këtë veprim. Video e filmit tashmë është bllokuar në Libi dhe Egjipt.

Protesta kundër amerikanëve janë shënuar edhe në Liban, Turqi e Pakistan.

Duke folur për një radiostacion amerikano-arab të premten, njeriu që pretendon se ka bërë filmin, ka thënë se nuk ndjen “asnjë keqardhje”, me gjithë dhunën e vazhdueshme.

Megjithatë, Nakoula Baselej Nakoula, një i krishterë kopt, i cili ka lindur në Egjipt dhe jeton në SHBA, ka thënë se është “trishtuar” dhe “ndihet fajtor” për vdekjen e ambasadorit Kristofer Stivens dhe të tjerëve. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asgjë të bëjnë me filmin e tij, porse “po vuajnë pasojat e prodhimit”.

Naukola ka thënë se njerëzit duhet ta shohin filmin të tërë, para se ta gjykojnë atë.

Filmi “Pafajësia e myslimanëve”, pos tjerash, e përshkuan Profetin Muhamed si “gjysmë budalla dhe të dhënë pas grave”.
Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG