Ndërlidhjet

Obama: Dhuna nuk justifikohet me asgjë


Barak Obama në OKB
Barak Obama në OKB
Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se është koha të izolohen ata që urrejtjen ndaj Shteteve të Bashkuara, Perëndimit, ose Izraelit, e kanë si pjesë qendrore të parimit të tyre politik.

Duke folur në hapje të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ai e ka quajtur videon anti-myslimane, që ka nxitur dhunë në botën myslimane, ofenduese jo vetëm për myslimanët por, gjithashtu edhe për Amerikën.

E kam bërë të qartë se qeveria e SHBA-së nuk ka të bëjë asgjë me këtë video dhe besoj se mesazhi i saj duhet të refuzohet nga të gjithë ata që respektojnë njerëzimin. Është një ofendim jo vetëm për myslimanët, por edhe për Amerikën—meqë, qyteti jashtë këtyre mureve, e bën të qartë se ne jemi një shtet që ka mirëpritur njerëzit nga të gjitha racat e fetë”, ka thënë Obama.

Më shumë se 30 njerëz janë vrarë që kur një promo nga projekti filmik privat “Pafajësia e Myslimanëve” ka shkaktuar zemërim në botën myslimane dhe protesta ndaj ambasadave dhe interesave amerikane.

Obama tha në OKB se filmi ishte i “vrazhdë dhe i pështirë” për të shtuar se “e kuptojmë se përse njerëzit janë ofenduar ndaj videos, sepse miliona qytetarë tanë(të SHBA-së) janë në mesin e tyre”.

Ai tha se liria e shprehjes, që lejon bërjen e videove të tilla gjithashtu ofron përgjigjen ndaj gjuhës së urrejtjes.

Arma më e fuqishme kundër gjuhës së urrejtjes nuk është represioni, por shprehja edhe më e madhe—zërat e tolerancës që ngriten kundër fanatizmit dhe blasfemisë, që ngrisin vlerat e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë”, është shprehur presidenti amerikan.

Në vitin 2012, në kohën, kur secili me një telefon celular mund të përhap pikëpamje ofenduese përreth botës duke shtypur vetëm një buton, nocioni se mund të kontrollojmë rrjedhën e informacioneve është i dalë mode. Atëherë shtrohet pyetja se si duhet reaguar. Edhe për këtë duhet pajtuar: nuk ka shprehje që justifikon dhunën e pamend. Nuk ka fjalë që justifikon vrasjen e të pafajshmëve. Nuk ka video që justifikon sulmin në ambasadë. Nuk ka shpifje, që justifikon njerëzit që djegin restorante në Liban, ose shkatërrojnë shkollat në Tunis, ose shkaktojnë vdekje dhe shkatërrim në Pakistan”, tha Obama.

Ai theksoi se sulmet e dy javëve të fundit janë sulm jo vetëm kundër Amerikës, por edhe kundër idealeve mbi të cilat janë themeluar Kombet e Bashkuara.

Djegia e një flamuri amerikan nuk i ofron një fëmije edukim. Thyerja e restoranteve nuk ushqen një stomak të zbrazur. Sulmi i një ambasade nuk krijon asnjë vend të vetëm pune”, ka thënë Obama.

Në fjalimin e tij, presidenti amerikan ka përmendur edhe krizat tjera në botë, derisa ka thënë se regjimi i presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, “duhet të marrë fund”.

Derisa takohemi këtu, edhe njëherë deklarojmë se regjimi i Bashar al Asadit duhet të marrë fund, në mënyrë që vuajtja e popullit sirian të marrë fund dhe të nisë një agim i ri”, tha Obama.

Ai tha se e ardhmja e Sirisë nuk i “përket një diktatori që masakron popullin e vet, por duhet t’iu takojë të gjithë sirianëve, sunitëve, alavitëve, kurdëve e të krishterëve.

Ai akuzoi Iranin për mbështetjen që po i jep regjimit të Asadit dhe për nxitjen e tensioneve në botë.

Ashtu si i kufizon të drejtat e popullit të tij, qeveria iraniane e mbështet një diktator në Damask dhe mbështet grupet terroriste jashtë. Si gjithnjë, ka dështuar që të shfrytëzojë mundësinë të tregojë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe të përmbushë obligimet e dala nga OKB-ja”, ka thënë ai.

Obama tha në OKB se “koha nuk është e pakufizuar” për ta zgjidhur nëpërmjet diplomacisë krizën lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Ai tha se SHBA respekton të drejtën e kombeve për të pasur qasje në energjinë bërthamore për qëllime paqësore, por, një Iran i pajisur me armë bërthamroe sipas tij “do të kërcënonte eliminimin e Izraelit, sigurinë e shteteve të Gjirit dhe stabilitetin e ekonomisë globale”.

Adresimi i Obamës në Asamblenë e Përgjithshme iu ka referuar disa here Chris Stevens-it, ambasadorit amerikan, që u vra në një sulm ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë në këtë muaj bashkë me tre amerikanë të tjerë.

Përgatiti: Albana Isufi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG