Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale: 21 komuna i zgjodhën kryetarët, 17 shkojnë në balotazh

• Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte 40 për qind.

• Të drejtë vote kishin 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

22:31 12.10.2025

Tahiri: Fitorja është e të gjithëve

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicën e Jugut, Arian Tahiri, shpalli fitoren në këtë komunë, duke premtuar se prioritet do të ketë qytetarët.

“Nuk është fitorja vetëm e imja. Është fitore e Mitrovicës. Për mua secili qytetarët i Mitrovicës është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”, tha ai në ngjarjen e organizuar në palestrën Minatori.

Me 91.43 për qind të votave të numëruara, Tahiri prin me 47.92 për qind. I dyti është Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje me 47.81 për qind.

Sipas disa exit poll-eve të publikuara më herët, Tahiri parashihet të fitojë garën pa balotazh.


22:22 12.10.2025

Krasniqi: PDK-ja është fituesja e zgjedhjeve lokale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë shënimit të fitores në Mitrovicë të Jugut, tha se subjekti që ai udhëheq është fitues i zgjedhjeve lokale.

Sipas tij, PDK-ja ka numrin më të madh të komunave të fituara pa balotazh, ka fituar numrin më të madh në kuvende komunale si dhe është partia me më së shumti komuna që do të marrë pjesë në balotazhin e 9 nëntorit.

PDK-ja ka shpallur fitoren që në rundin e parë në Mitrovicë të Jugut ku prin kandidati i saj Arian Tahiri, ndonëse numërimi atje ende nuk ka përfunduar. Tahiri, megjithatë, sipas exit polle-ve do ta marrë komunën në rund të parë.

Në Skenderaj, PDK-ja do të fitojë pa balotazh, komunë ku pothuajse ka përfunduar numërimi. Ky subjekt pritet të marrë Ferizajn që në rund të parë po ashtu. Ndërkaq prin edhe në komuna të tjera, sikurse Vushtrria, Kaçaniku, Hani i Elezit dhe Prizreni.

22:13 12.10.2025

LDK shpall fitoren në tri komuna në rund të parë

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shpalli fitoren në rund të parë në Istog, Lipjan dhe Junik.

Ai tha se gara është afër të përmbyllet edhe në Pejë që në rund të parë.

“Urojmë fituesin e garës kryesore, Përparim Pamën. Pas 12 vjetësh, në Prishtinë për herë të parë LDK është e para edhe për kryetar edhe për kuvend komunal”, tha ai gjatë konferencës ku i pranishëm ishte edhe Rama.

Sipas rezultateve preliminare, në bazë të 48.88 për qind të votave të numëruara, Rama ka fituar 34.21 për qind të votave dhe do të shkojë në balotazh me Hajrullah Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje, që ka 33.21 për qind.

Rama, ndërkaq, falënderoi qytetarët për mbështetjen.

Në Junik, numërimi ka përfunduar dhe kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu ka fituar 47.91 për qind të votave.

Në Istog, me 76.67 për qind të votave të numëruara, Ilir Ferati nga LDK ka 59.40 për qind të votave.

21:40 12.10.2025

LVV shpall fitoren në Podujevë

Kreu aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se ka fituar zgjedhjet në rundin e parë.

Para aktivistëve të partisë së tij ai tha se gjatë mandatit të dytë do të jetë kryetar i të gjithëve, duke u kërkuar qytetarëve që të shpërndahen dhe të vazhdojnë festimet për këtë fitore në shtëpitë e tyre.

Sipas të dhënave paraprake, me 69.03 për qind për qind të votave të numëruara, Bulliqi udhëheq me 52.70 për qind të votave, pasuar nga Ekrem Hyseni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 39.30 për qind.

Shpejtim Bulliqi
Shpejtim Bulliqi


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG