Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale: 21 komuna i zgjodhën kryetarët, 17 shkojnë në balotazh

• Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte 40 për qind.

• Të drejtë vote kishin 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

21:37 12.10.2025

Lladrovci shpall fitoren në Drenas

Ramiz Lladrovci
Ramiz Lladrovci

Ramiz Lladrovci nga lista Për Drenasin kampion me Ramiz Lladrovcin, shpalli fitoren në këtë komunë.

Ai tha se këtë fitore ia dedikon ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-nënkryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli – dy ish-udhëheqës të Partisë Demokratike të Kosovës.

Lladrovci ka fituar dy mandate në krye të Drenasit nën logon e PDK-së.

Sipas rezultateve preliminare, me 52.05 për qind të votave të numëruara, Lladrovci udhëheq në Drenas me 53.14 për qind të votave. I dyti është Petrit Hajdari nga PDK me 37.56 për qind.


21:33 12.10.2025

LVV prin në Fushë-Kosovë

Valon Prebreza nga Lëvizja Vetëvendosje po prin në garën për kryetar të komunës së Fushë Kosovës.

Ai ka fituar 44.13 për qind të votave, bazuar në numërimin e 74.58 për qind të votave.

Në vendin e dytë është Besnik Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 36.98 për qind të votave.

Kjo komunë, që nga zgjedhjet e para të mbajtura pas përfundimit të luftës është udhëhequr nga LDK-ja.

21:26 12.10.2025

Haradinaj: Shënuam fitore bindëse në komunat ku kemi qeverisur

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij ka shënuar fitore bindëse në komunat ku ka qeverisur deri më tani: Suharekë, Rahovec, Deçan, Gjakovë dhe Klinë.

“Po ashtu ekziston mundësia që gara në Junik të vazhdojë në rundin e dytë. Ne kemi garuar në 25 komuna për kryetarë komune dhe në 28 për asamble. Kemi informata për rritje për votën e Aleancës edhe për asamble, por për këto të dhëna nuk do të nxitohemi, do të presim rezultatin final”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

Ai u bëri thirrje komisionerëve që gjatë procesit të numërimit të ruajnë votën dhe të mos lejojnë keqpërdorime.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
21:13 12.10.2025

Kush po prin në komunat me shumicë serbe?

Sipas rezultateve të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në shumicën e komunave me shumicë serbe po prin kandidatët e Listës Serbe – partia kryesore e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kllokot, sipas 50 për qind të votave të numëruara, i pari është Bozhidar Dejanoviq i Listës Serbe me 56.17 për qind të votave, pasuar nga Sreçko Spasiq nga Uniteti Kombëtar Serb me 22.64 për qind.

Ranillug, në bazë të 50 për qind të votave të numëruara, prin Tanja Antiq nga Lista Serbe me 70.03 për qind. I dyti është Ivan Petroviq nga Lëvizja Kombëtare Serbe me 15.95 për qind.

Graçanicë, Lista Serbe me kandidatin e saj Novak Zhiviq është e para me 61.36 për qind të votave, bazuar në 58.82 për qind të votave të numëruara. I dyti është Leutrim Ajeti nga Aleanca Shqiptare me 28.23 për qind.

Mitrovicë të Veriut, në bazë të 36.36 për qind të votave të numëruara, po prin Millan Radojeviq me 60.30për qind të votave.

Në bazë të 90.91për qind të votave të numëruara, në Zveçan i pari është Dragisha Milloviq nga Lista Serbe me 86.66 për qind të votave, pasuar nga Demokracia Serbe me kandidat Zoran Obrenoviq me 8.47 për qind.

Zubin Potok, në bazë të 53.33 për qind të votave të numëruara, Millosh Peroviq është i pari me 83.41 për qind të votave. I dyti në këtë komunë Millija Bishevac nga Lidhja Kombëtare Serbe me 6.3 për qind.

Shtërpcë, në bazë të 88.24 Ivica Tanasijeviq nga Lista Serbe është i pari me 66.41 për qind pasuar nga Stefan Stamenkoviq nga Drejtësi dhe Barazi me 9.68 për qind.

Novobërdë, sipas 82.61 për qind të votave të numëruara,Sasha Millosheviq i Listës Serbe prin me 55.59 për qind, pasuar nga Bajrush Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 25.63 për qind.

Leposaviq, në bazë të 28 për qind të votave të numëruara, Zoran Todiq nga Lista Serbe prin me 70.30 për qind të votave, pasuar nga Vlladimir Radosavlejviq i Demokracisë Serbe me 11.64 për qind.

Partesh sipas 71.43 për qind të votave, Dragan Petkoviq nga Lista Serbe prin me 90.36për qind të votave, pasuar nga Sllaxhan Mlladenoviq nga Lidhja e Kosovës me 9.64 për qind.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG