Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale: 21 komuna i zgjodhën kryetarët, 17 shkojnë në balotazh

• Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte 40 për qind.

• Të drejtë vote kishin 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

20:47 12.10.2025

Kush është Arian Tahiri që pritet të udhëheqë me Mitrovicën e Jugut?

Arian Tahiri
Arian Tahiri

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, sipas sondazheve, pritet që të qeverisë me këtë komunë në katër vjetët e ardhshëm.

Tahiri veçse ka qenë pjesë e udhëheqjes së kësaj komune, pasi ka shërbyer si nënkryetar i Bedri Hamzës për katër vjet.

Sipas ueb-faqes së Komunës së Mitrovicës së Jugut, Tahiri u lind në Mitrovicë më 1993.

Tahiri i ka përfunduar studimet në ekonomi dhe shkenca politike. Studimet e doktoratës i ka përfunduar në South East European University, në drejtimin ekonomiks, ndërsa masterin në Banka Financa, dhe i ka dy fakultete në nivelin baçelor: në ekonomi dhe shkenca politike.

Ndërkaq, ai ishte marrë edhe me sport. Përkatësisht, që në fëmijëri ka qenë pjesë e shkollës së basketbollit të ekipit “Trepça”. Më 2009 është bërë basketbollist profesionist i klubit basketbollist “Trepça” dhe u shpall kampion i kupës së Kosovës. Karrierën si basketbollist e ka përfunduar më 2019.

Exit poll-et e publikuara nga tri televizione në Kosovë e kanë nxjerrë atë fitues. Megjithatë, mbetet të konfirmohet ky rezultat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që ka nisur publikimin e rezultateve zgjedhore.

20:33 12.10.2025

Policia: Gjatë zgjedhjeve nuk pati incidente serioze

Policia e Kosovës vlerësoi se rundi i parë i zgjedhjeve lokale ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze.

Sipas njoftimit, Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, gjatë ditës ka iniciuar dy raste për cenim të fshehtësisë së votës – në fshatin Bare të Mitrovicës së Jugut dhe në Kllokot – ndërkaq rastet e dyshuara për fotografinë e votës, me autorizim të prokurorëve, kanë mbetur si “shënim zyrtar”.

“Lidhur me rastet, personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të prokurorëve kompetentë, janë liruar në procedurë të rregullt”, u tha në njoftim.

Po ashtu, gjatë ditës Policia tha se ka trajtuar rreth dhjetë informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me votimet, por prokurorët kanë vlerësuar se nuk ka pasur elementë apo dëshmi që këto raste ndërlidhen me vepra penale.

20:16 12.10.2025

Sipas të dhënave të KQZ-së, dalja në rundin e parë të zgjedhjeve lokale ishte 39.47 për qind.

20:13 12.10.2025

Agim Aliu shpall fitoren në Ferizaj

Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale në komunën e Ferizajt.

Gjatë një fjalimi në këtë qytet, ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë që të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm.

“Sonte fituan të gjithë, fitoi Ferizaj dhe ferizajasit. U dëshmua se puna mbizotëron mbi zhurmën”, tha ai.

Parashikimet e nxjerrin atë të parin, duke ia dhënë edhe një mandat në krye të kësaj komune që në rundin e parë të zgjedhjeve.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG