Simpatizantët e PDK-së nisin festën në Mitrovicë të Jugut
Simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë nisur festën në Mitrovicë të Jugut, ku sipas parashikimeve, Arian Tahiri i kësaj partie do ta fitojë këtë komunë në rundin e parë.
Më poshtë ju sjellim disa fotografi nga festa e simpatizantëve të PDK-së në këtë qytet:
Kurti: Zgjedhjet lokale u zhvilluan me dinjitet dhe përgjegjësi
Kryeministri në detyrë i Kosovës njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se procesi zgjedhor u zhvillua me dinjitet dhe përgjegjësi.
Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen e partisë së tij.
“Tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve”.
KQZ nis publikimin e rezultateve
Në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë nisur që të dalin rezultatet e para të zgjedhjeve lokale të mbajtura sot.
Megjithatë, përqindja e votave të numëruara është ende shumë e vogël.
PDK-ja, e bindur se do të jetë në balotazh në Prishtinë
Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës tha se në bazë të informatave të partisë, kandidati i tyre për Prishtinë, Uran Ismaili, do të jetë në balotazhin e 9 nëntorit.
Sipas exit poll-eve të publikuara nga disa media në Kosovë, në Prishtinë në balotazh do të përballen Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka nisur të publikojë rezultate për zgjedhjet lokale.
Çitaku po ashtu gjatë konferencës për media tha se partia e saj do të ketë më së shumti asamblistë në nivel vendi si dhe shtoi se PDK-ja “ka fituar më së shumti komuna pa balotazh dhe është në më së shumti komuna në balotazh”.