Ndërlidhjet

Ukraina dhe SHBA-ja arrijnë marrëveshje për mineralet e rralla, pa garanci sigurie


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti amerikan, Donald Trump.

Uashingtoni dhe Kievi kanë arritur një marrëveshje kornizë që përfshin qasje në elemente të rralla tokësore, minerale dhe burime të tjera natyrore — por pa garanci sigurie — si pjesë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, që ka hyrë në vitin e saj të katërt.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha më 25 shkurt se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dëshiron të vijë në Uashington të premten për të nënshkruar një “marrëveshje shumë të madhe”, e cila pritet gjerësisht të jetë marrëveshja kornizë që është bërë çështja kryesore e bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve.

“Ajo që po bëjmë tani është se po themi, shikoni, duam të jemi të siguruar”, tha Trump, pa dhënë detaje mbi marrëveshjen.

“Taksapaguesit amerikan tani do t'i kthehen prapë paratë e tij, madje me fitim”, shtoi ai.

Kur u kontaktua nga Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë, zyra e zëvendëskryeministrit si dhe Ministria e Ekonomisë refuzuan të komentojnë rreth ecurisë së negociatave dhe gjendjes aktuale të marrëveshjes.

Tomas Kopecny, i dërguari i qeverisë çeke për rindërtimin e Ukrainës, i tha Radios Evropa e Lirë se e kishte parë marrëveshjen dhe se, megjithëse ajo nuk jep garanci sigurie “në kuptimin tradicional”, lidhja e interesave ekonomike dhe politikës së jashtme ndihmon për të siguruar që Shtetet e Bashkuara të mbeten të përkushtuara ndaj mirëqenies së Ukrainës.

“Është një sukses i negociatave diplomatike për të dyja vendet”, tha Kopecny, duke e quajtur atë “të arsyeshme, të drejtë”.

“Marrëveshja në vetvete është në thelb një mënyrë për t’i bërë ndërmarrjet dhe bizneset amerikane, si dhe qeverinë amerikane, të interesuara në rindërtimin e Ukrainës, jo vetëm në letër, por edhe përmes skemave konkrete financiare dhe investuese”, tha ai.

Sipas disa raportimeve të mediave që citojnë burime të paidentifikuara brenda qeverisë ukrainase, marrëveshja do të mbulojë zhvillimin e përbashkët të mineraleve dhe burimeve të tjera natyrore të Ukrainës, si nafta dhe gazi.

Ato raporte gjithashtu thonë se marrëveshja është një kornizë për një marrëveshje të gjerë ekonomike që do të përfshijë shfrytëzimin e mineraleve të rralla dhe rindërtimin.

Kur u pyet se çfarë do të merrte Ukraina në këtë marrëveshje, Trump përmendi ndihmën prej 350 miliardë dollarësh që ai pretendon se SHBA-ja tashmë ia ka dhënë Kievit, si dhe “pajisje ushtarake dhe të drejtën për të luftuar”.

Gabrielius Landsbergis, që shërbeu si ministër i Jashtëm i Lituanisë deri në dhjetor, i tha Radios Evropa e Lirë se koncepti i një marrëveshjeje të tillë kornizë mund të shërbejë si mësim për Evropën se si t’i qaset mbështetjes për Ukrainën, përfshirë ndihmën për Kievin në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

“Shumë shpesh, liderët e BE-së shkojnë në Ukrainë vetëm me deklarata të forta verbale, por jo me mbështetje të vërtetë”, tha ai.

“BE-ja duhet të jetë më e shpejtë — diplomatikisht, politikisht, financiarisht. Ukraina është një vend kandidat për BE dhe BE-ja mund të kishte ofruar ndihmë teknike për të vlerësuar nëse marrëveshja e ofruar nga SHBA-ja është në interesin më të mirë të Ukrainës”, tha ai.

Rusia i ofron SHBA-së një marrëveshje për mineralet e saj

Më 24 shkurt, në përvjetorin e tretë të luftës së plotë të Rusisë kundër Ukrainës, presidenti rus, Vladimir Putin, shtoi papritur një element të ri në diskutimet transatlantike mbi mineralet, në një përpjekje të dukshme për të komplikuar rrugën drejt një marrëveshjeje SHBA-Ukrainë.

Ai drejtoi një mbledhje të nivelit të lartë të qeverisë për metalet e rralla dhe u ofroi Shteteve të Bashkuara mundësinë e eksplorimit të përbashkët të rezervave të Rusisë, duke shtuar se “ne padyshim kemi, dua të theksoj, shumë më shumë burime të kësaj natyre sesa Ukraina”.

Putini foli pasi Trump kishte lavdëruar mundësitë për bashkëpunim të ngushtë ekonomik SHBA-Rusi në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Presidenti rus preku një çështje të ndjeshme që lidhet me luftën kundër Ukrainës dhe që ka të ngjarë të jetë një pikë e madhe përplasjeje ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund luftës vazhdojnë, duke thënë se marrëveshjet e mundshme për eksplorimin e mineraleve të rralla mund të përfshijnë edhe rezervat në pjesët e Ukrainës lindore të pushtuara nga Rusia, në rajonin e pasur me burime natyrore të njohur si Donbas.

Cilat janë burimet minerale të Ukrainës?

Ukraina thotë se ka rezerva të gjysmës së 50 mineraleve që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë “kritike për ekonominë dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së” — një kategori më e gjerë që përfshin litiumin dhe titaniumin, ndër të tjera — si dhe burime minerale më të zakonshme si qymyri, hekuri, nafta dhe gazi.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se marrëveshja për mineralet do të përmirësojë sigurinë e Ukrainës, sepse Shtetet e Bashkuara do të duan të mbrojnë interesat e tyre, por Zelensky ka theksuar se Kievi ka nevojë për garanci të forta dhe të besueshme sigurie në rast të një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje.

Ndërkohë, Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) raportoi se një zyrtar i BE-së tha se blloku kishte propozuar një marrëveshje të veçantë midis BE-së dhe Ukrainës gjatë një vizite në Kiev nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 24 shkurt.

Megjithatë, një zëdhënës i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, tha më 25 shkurt se “nuk ka asnjë propozim” nga BE-ja, duke shtuar se blloku ka pasur një partneritet me Ukrainën mbi mineralet kritike që nga nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi në vitin 2021.

Von der Leyen “ripohoi angazhimin për ta zbatuar këtë memorandum dhe për ta përshpejtuar punën që forcon partneritetin tonë me përfitime të ndërsjella”, tha ajo.

“Siç e shihni, kjo ka të bëjë me bashkëpunimin me Ukrainën dhe jo me ndonjë lloj konkurrence me Shtetet e Bashkuara”, shtoi Von der Leyen.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG