Ndërlidhjet

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë më 21 qershor 2025.
Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë më 21 qershor 2025.

SHBA godet objektet bërthamore të Iranit, Teherani paralajmëron për pasoja

SHBA-ja njoftoi se ka sulmuar tre impiante bërthamore të Iranit.

Objektet bërthamore Fordo, Natanz dhe Isfahan janë shkatërruar plotësisht sipas presidentit amerikan, Donald Trump.

Ushtria amerikane ka përdorur 14 bomba për shkatërrimin e bunkerëve, GBU-57, dhjetëra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë luftarakë gjatë operacionit.

Trump i kërkoi Iranit që të bëjë paqe, në të kundërtën tha se sulmet do të vazhdojnë.

Irani ka dënuar sulmet dhe tha se i rezervon vetes të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin e tij.

Shtetet nga e mbarë bota kanë bërë thirrje për bisedime dhe ulje të tensioneve.

Demokratët akuzuan Trumpin se “dështoi të kërkonte autorizim nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake dhe rrezikon përfshirjen e Amerikës në një luftë të rrezikshme në Lindjen e Mesme”.

22:13 22.6.2025

Netanyahu: Izraeli “shumë, shumë pranë” arritjes së objektivave ndaj Iranit

Izraeli është “shumë, shumë pranë” përmbushjes së objektivave të tij ndaj Iranit, pas urdhrit të presidentit amerikan Donald Trump për bombardime gjatë natës mbi objektet bërthamore, deklaroi të dielën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Duke përsëritur qëllimet e tij për të shkatërruar kapacitetet bërthamore dhe raketore të Iranit, Netanyahu tha në një konferencë për media:
“Po lëvizim hap pas hapi drejt arritjes së këtyre objektivave, jemi shumë, shumë pranë përmbushjes së tyre”.

Ai shtoi se “kur këto objektiva të jenë arritur, operacioni do të përfundojë.”

Benjamin Netanyahu
Benjamin Netanyahu
23:52 22.6.2025

Trump: Pse të mos ketë një 'ndërrim regjimi' në Iran?

Presidenti amerikan, Donald Trump, të dielën shtroi çështjen e mundësisë për ndryshimin e regjimit në Iran, pas sulmeve të fundjavës nga ushtria amerikane ndaj caqeve ushtarake kyçe iraniane.

“Nuk është politikisht korrekte të përdorësh termin ‘ndërrim regjimi’, por nëse regjimi aktual iranian nuk është në gjendje TA BËJË IRANIN MADHËSHTOR SËRISH, atëherë pse të mos ketë ndërrim regjimi??? MIGA!!!”, shkroi Trump në platformën e tij sociale.

Postimi në platformën Truth Social përbënte një lëkundje nga qëndrimi zyrtar i shprehur më herët gjatë ditës nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në një konferencë për media ku dha detaje mbi sulmet ajrore.

“Ky mision nuk ishte dhe nuk është për ndërrimin e regjimit”, deklaroi Hegseth.


00:00 23.6.2025

Të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë,

Këtu përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit.

Faleminderit që na ndoqët!


XS
SM
MD
LG