Turqia: Konflikti në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohet në një konflikt global
Turqia ka reaguar pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Ankaraja paralajmëroi se këto sulme mund të përshkallëzojë konfliktin Iran-Izrael në një nivel global, që siç tha, mund të ketë pasoja “katastrofike”.
“Këto zhvillime mund të nxisin që konflikti rajonal të përshkallëzohet në nivel global. Ne nuk duam që një skenar i tillë katastrofik të ndodh”, tha Ministria e Jashtme turke, duke shprehur “shqetësim të thellë për pasojat e mundshme”.
Ish-këshilltari i Trumpit: SHBA-ja nuk synon ndryshimin e regjimit në Iran
Fred Fleitz, nënkryetar i Institutit “America First Policy” Në një intervistë të dhënë më 20 qershor i tha Radios Evropa e Lirë se veprimet ushtarake mund t’i shkaktojnë dëme serioze programit bërthamor të Iranit, i cili, sipas tij, është tashmë afër përftimit të armës bërthamore.
Më poshtë e gjeni intervistën e plotë:
Irani thotë se duhet të përgjigjet ndaj sulmeve
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, përsëriti qëndrimin se shteti i tij ka të drejtë të përdorë të gjitha opsionet për të mbrojtur sigurinë, duke shtuar se Teherani nuk mund t’i kthehet diplomacisë në kohën kur sulmohet nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Araqchi tha se të hënën do të shkojë në Rusi për t’u konsultuar me Moskën për situatën.
“SHBA-ja tregoi se nuk ka aspak respekt për të drejtën ndërkombëtare. Ata kuptojnë vetëm gjuhën e kërcënimit dhe forcës”, tha Araqchi, duke shtuar se Teherani duhet të përgjigjet bazuar në të drejtat e tij, para se të rishqyrtojë rrugën diplomatike.
Ministri iranian i Jashtëm tha se do të udhëtojë për në Rusi, shtet me të cilin Irani ka partnertiet strategjik, dhe do të konsultohet me presidentin Vladimir Putin të hënën.
Katari kërkon shmangie të përshkallëzimit
Lidhur me sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane ka reaguar edhe Katari.
Ministria e Jashtme e Katarit u bëri thirrje të gjitha palëve të vetëpërmbahen dhe të “shmangin përshkallëzimin, të cilin populli i rajonit, i prekur nga konfliktet dhe pasojat e rënda humanitare, nuk mund ta tolerojë”.
Katari ka shërbyer si ndërmjetës kyç në luftën mes Izraelit dhe Hamasit dhe është mikpritës i bazës më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.