Ndërlidhjet

Rostov-on-Don, 24 qershor 2023
Rostov-on-Don, 24 qershor 2023

Mercenarët e Wagnerit tërhiqen në bazat e tyre

  • Shefi i grupit mercenar rus, Wagner, u tha trupave të tij të ndalin marshimin e tyre drejt Moskës, “për të shmangur gjakderdhjen”.
  • Më 23 qershor, Yevgeny Prigozhin bëri thirrje për rebelim kundër ushtrisë ruse, duke e akuzuar atë për sulme vdekjeprurëse kundër forcave të tij në Ukrainë.
  • Pasditen e 24 qershorit, Prigozhin u tha forcave të tij që të kthehen në bazat e tyre, pas negociatave me udhëheqësin bjellorus, Alexandr Lukashenko, raportoi kanali televiziv rus, Rossiya 24.
  • Presidenti rus, Vladimir Putin, e cilësoi sjelljen e Wagnerit si “tradhti”.
15:23 24.6.2023

Çfarë rëndësie kanë qytetet që Wagneri thotë se po i kontrollon?

Grupi mercenar rus Wagner pretendon se i kontrollon të gjitha objektet ushtarake në qytetin jugor Rostov-on-Don, dhe ka raportime se i kontrollon edhe zonat ushtarake në Voronezh – qytet më në veri të Rusisë.

Rostov ka qenë tejet i rëndësishëm prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Ai gjendet në kufi me Ukrainën, andaj ka shërbyer si baza kryesore për komandën jugore të ushtrisë së Rusisë.

Ky qytet i ka rreth 1 milion banorë.

Trupat ruse shpesh stacionohen aty, para se të dërgohen në Ukrainë.

Voronezh – një tjetër qytet rus jo shumë larg kufirit ukrainas – e ka gati madhësinë e njëjtë sa Rostovi.

Ky qytet gjendet në mes të Rostovit dhe kryeqytetit Moskës, dhe njihet si qendër kryesore hekurudhore.

15:53 24.6.2023

Guvernatori i Lipenskut konfirmon se Wagneri po lëviz nëpër rajon

Guvernatori i rajonit Lipensk, Igor Artamonov, e ka konfirmuar se Wagneri është duke lëvizur “pajisjet” në rajon.

“Agjencitë për zbatim të ligjit dhe autoritetet janë duke i marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e popullatës. Situata është nën kontroll”, ka thënë ai në një postim në rrjetet sociale.

Rajoni i Lipetskut është rreth 360 kilometra në jug të Moskës.

Artamonov u ka rikujtuar banorëve që këshillohen fort që të mos largohen nga shtëpitë e tyre dhe t’i shmangin udhëtimet me çdo kusht.

16:16 24.6.2023

Erdogan i kërkon Putinit ta gjykojë situatën me kujdes

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka biseduar në telefon me presidentin rus Vladimir Putin dhe i ka kërkuar që të gjykojë situatën me kujdes.

Presidenca turke e ka lëshuar këtë deklaratë, pasi mercenarët rusë të grupit Wagner e kanë nisur një rebelim të armatosur përgjatë natës në Rusi.

Në deklaratë është thënë se dy krerët shtetërorë kanë biseduar për zhvillimet në Rusi dhe Erdogani i ka thënë Putini se Turqia është e gatshme të ndihmojë për të arritur deri te një zgjidhje paqësore pas situatës së krijuar.

16:29 24.6.2023

BE-ja aktivizon qendrën e krizave pas situatës së krijuar në Rusi

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se blloku evropian e ka aktivizuar qendrën për kriza, pas situatës së krijuar në Rusi.

“E pata një thirrje me ministrat e Grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) për të shkëmbyer pikëpamjet tona për situatën në Rusi. Para takimit të së hënës në Këshillin e BE-së për Punë të Jashtme, unë po aktivizoj qendrën për përgjigje ndaj krizave”, ka thënë ai në Twitter.

Përgjatë natës, mercenarët e Wagnerit kanë hyrë në qytetin rus Rostov-on-Don dhe janë duke lëvizur drejt Moskës.

Lideri i tyre, Yeveny Prigozhin ka thënë se dëshiron t’i largojë personat e korruptuar nga ushtria, të cilët i fajëson për rezultatin e luftës në Ukrainë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG