Të dashur lexues,
Po e nisim raportimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet e fundit në Rusi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar të shtunën se do t’i ndëshkojë kryengritësit, pasi grupi mercenar Wagner, ka thënë se do ta rrëzojë udhëheqësinë e ushtrisë ruse.
Në materialin më poshtë e kuptoni se çfarë ka ndodhur në Rusi në 12 orët e fundit.
Britania: Shteti rus po përballet me sfidën më të madhe të kohëve të fundit
Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë të shtunën se shteti rus është duke u përballur me sfidën më të madhe të sigurisë në kohët e fundit.
“Në orët e ardhshme, besnikëria e forcave ruse të sigurisë dhe sidomos e Gardës Kombëtare të Rusisë, do të jetë kyçe rreth asaj se si do të zhvillohet kriza”, ka thënë ministria britanike përmes një deklarate.
Polonia po e monitoron situatën në Rusi
Presidenti polak, Andrzej Duda, ka thënë të shtunën se është konsultuar me kryeministrin dhe Ministrinë e Mbrojtjes rreth situatës në Rusi, duke shtuar se Varshava është duke e monitoruar situatën.
“Rrjedhja e ngjarjeve përtej kufirit tonë lindor është duke u monitoruar vazhdimisht”, ka thënë ai.
Britania: Wagneri është nisur drejt Moskës
Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë në përditësimin e fundit të saj se disa njësite të Wagnerit “janë nisur në veri përmes rajonit Voronezh, dhe pothuajse me siguri e synojnë Moskën”.
Vorenezh shtrihet në mes të Moskës dhe Rostov-on-Donit, qytetit rus të cilin Wagneri pretendon se tani e kontrollon.