Ndërlidhjet

Rostov-on-Don, 24 qershor 2023
Rostov-on-Don, 24 qershor 2023

Mercenarët e Wagnerit tërhiqen në bazat e tyre

  • Shefi i grupit mercenar rus, Wagner, u tha trupave të tij të ndalin marshimin e tyre drejt Moskës, “për të shmangur gjakderdhjen”.
  • Më 23 qershor, Yevgeny Prigozhin bëri thirrje për rebelim kundër ushtrisë ruse, duke e akuzuar atë për sulme vdekjeprurëse kundër forcave të tij në Ukrainë.
  • Pasditen e 24 qershorit, Prigozhin u tha forcave të tij që të kthehen në bazat e tyre, pas negociatave me udhëheqësin bjellorus, Alexandr Lukashenko, raportoi kanali televiziv rus, Rossiya 24.
  • Presidenti rus, Vladimir Putin, e cilësoi sjelljen e Wagnerit si “tradhti”.
16:38 24.6.2023

Kush është Yevgeny Prigozhin?

Yevgeny Prigozhin, ish i burgosur dhe udhëheqës i një rrjeti të restoranteve, e ka rritur kompaninë private mercenare Wagner dhe është bërë figurë kyçe në Rusi - pas nisjes së luftës në Ukrainë - por edhe kritik i palodhshëm i komandës ushtarake ruse.

Ai tani ka nisur rebelim të hapur ushtarak kundër shtetit rus.

Prigozhin ka lindur më 1961 në atë që atëherë është quajtur Leningrad.

Si adoleshent ai është zënë dhe dënuar për vjedhje – një prej plot krimeve më serioze që ka kryer më vonë, përfshirë vjedhje të armatosur dhe trafikim të fëmijëve, për çka është dënuar me mbi nëntë vjet burgim.

16:45 24.6.2023

Ushtria ruse raportohet të ketë sulmuar Wagnerin

Ushtria ruse është raportuar të ketë qëlluar ndaj pjesëtarëve të Wagnerit që po avancojnë drejt Moskës, pasi kanë hyrë në orët e para të së shtunës në qytetin jugperëndimor rus, Rostov-on-Don.

Një korrespodent i agjencisë së lajmeve Reuters, ka raportuar se ka qenë dëshmitar kur helikopterët ushtarakë rusë kanë hapur zjarr në një kolonë të Wagnerit, disa orë pasi shefi i grupit, Yevgeny Prigozhin ka thënë se forcat e tij i kanë pushtuar zonat ushtarake në Rostov-on-Don.

Kolona e Wagnerit besohet se është sulmuar pasi e ka kaluar qytetin Voronezh, që gjendet rreth 600 kilometra në veri të Rostov-on-Donit.

Sipas Reutersit, në kolonë ka pasur transportuese ushtarësh dhe të paktën një tanke.

16:50 24.6.2023

Ligjvënësi rus: Luftëtarëve të Wagnerit u premtohet amnisti nëse çarmatosen

Mercenarëve të Wagnerit u është premtuar amnistia nëse i dorëzojnë armët, por duhet të veprojnë shpejt, ka thënë agjencia ruse e lajmeve TASS, duke e cituar një ligjvënës rus.

“Luftëtarët e Wagnerit ende mund t’i ulin armët dhe t’i shmangen ndëshkimit, duke marrë parasysh arritjet e tyre përgjatë operacionit special ushtarak në Ukrainë, por ata duhet të veprojnë shpejt”, ka thënë ligjvënësi rus Pavel Krasheninnikov, sipas TASS-it.

16:55 24.6.2023

Ministria ruse paralajmëron Perëndimin kundër përdorimit të Wagnerit për qëllimet e tyre

Ministria e Jashtme ruse ka thënë përmes një deklarate se i ka paralajmëruar shtetet e Perëndimit kundër përdorimit të veprimeve të grupit Wagner “për t’i arritur synimet rusofobike”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG