Putin e informon presidentin bjellorus për situatën në Rusi
Presidenti rus, Vladimir Putin e ka informuar homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenka për situatën në Rusi, sipas një deklarate të lëshuar nga Presidenca e Bjellorusisë në Telegram.
Në të është thënë se Putin është zotuar që do ta shtypë atë që e ka konsideruar rebelim, pasi shefi i grupit mercenar rus, Wagner ka thënë se e ka marrë kontrollin e qytetit jugor rus, Rostov-on-Don, teksa bën përpjekje për të rrëzuar krerët e ushtrisë së Rusisë.
Zakharova u bën thirrje rusëve që ta mbështesin Putinin
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i ka bërë thirrje popullit rus që të jetë afër presidentit Vladimir Putin, pasi Putin i ka cilësuar veprimet e Wagnerit si “rebelim të armatosur”.
Lideri çeçen shpreh gatishmëri për t’i shtypur veprimet e Wagnerit
Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, ka thënë të shtunën se forcat e tij janë të gatshme të ndihmojnë në shtypjen e rebelimit të grupit Wagner.
Ai ka thënë se nëse duhet, do të merren masa të ashpra.
Kadyrov e ka cilësuar sjelljen e shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin si “thikë pas shpine”, dhe u ka bërë thirrje ushtarëve rusë që të mos dorëzohen para “provokimeve”.
Perëndimi po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Rusi
Zyrtarë të NATO-s, Gjermanisë, Britanisë, Francës, Italisë, kanë deklaruar të shtunën se janë duke e monitoruar situatën në Rusi.
Disa u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që të shmangin udhëtimin në qytetin rus Rostov-on-Don.