Prigozhin i quan “patriotë” luftëtarët e Wagnerit
Shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin është duke gabuar thellë, pasi luftëtarët e Wagnerit nuk janë tradhtarë, por “patriotë”.
Rriten masat e sigurisë në Moskë
Moska e ka rritur sigurinë, pas marrjes së masave anti-terrorit.
Kështu duken rrugët e kryeqytetit rus të shtunën.
Çfarë është duke ndodhur në Rusi?
Këto janë informacionet e orëve të fundit:
- Presidenti rus, Vladimir Putin e ka mbajtur të shtunën një fjalim televiziv, duke i konsideruar veprimet e grupit mercenar rus, Wagner si “tradhti të lartë” dhe “thikë pas shpine”. Ai ka bërë thirrje për unitet dhe ka thënë se autoritetet janë duke vepruar shpejt për ta pasur nën kontroll situatën.
- Mercenarët e Wagnerit kanë thënë se e kanë marrë kontrollin e qytetit rus Rostov-on-Don, pikë kyçe e ushtrisë ruse.
- Prigozhin ka thënë se do të marshojë në Moskë, nëse krerët më të lartë ushtarakë nuk takohen me të.
- Përmes një audio-mesazhi, ai duket se i është kundërpërgjigjur Putinit, duke thënë se trupat e tij nuk po kryejnë tradhti, por janë “patriotë” që po luftojnë për të ardhmen e tokës amë.
- Edhe komuniteti ndërkombëtar ka nisur të reagojë për këto zhvillime. Disa shtete në kufi me Rusinë janë duke e rritur sigurinë, derisa NATO-ja ka thënë se është duke e vëzhguar situatën në vazhdimësi.
Mercenarë të Wagnerit pretendojnë kontrollin e bazës së dytë ushtarake
Transmetuesi britanik BBC është duke raportuar se pjesëtarë të Wagnerit po pretendojnë se e kanë fituar kontrollin e bazës ushtarake edhe në qytetin tjetër rus, Voronezh.
Më herët gjatë ditës, ky grup mercenar rus ka pretenduar se e ka fituar edhe kontrollin e qytetit në jug të Rusisë, Rostov-on-Don.
Sipas BBC-së në Voronezh ka shpërthyer një zjarr i madh në një depo të naftës.
Guvernatori rajonal, Alexander Gusev ka thënë se 100 zjarrfikës janë duke luftuar me flakët.
Voronezhi është në mes të qytetit Rostov-on-Don dhe kryeqytetit të Rusisë, Moskës.