Çfarë ndodhi në Rusi më 24 qershor?
- Mercenarët e grupit Wagner morën kontrollin e qytetit Rostov-on-Don, pranë kufirit me Ukrainën, dhe u nisën drejt Moskës.
- Shefi i tyre, Yevgeny Prigozhin, dha urdhrin për tërheqje, pas negociatave që zhvilloi me udhëheqësin bjellorus, Aleksandr Lukashenko. Prigozhin tha se ka marrë vendimin “për të shmangur gjakderdhjen ruse”.
- Mediat raportuan më vonë për tërheqjen e mercenarëve edhe nga Rostov-on-Doni.
- Sipas raportimeve, Prigozhin u largua për në Bjellorusi, ndërsa akuzat kundër tij dhe grupit të tij u hodhën poshtë, për të shmangur, siç u tha, “gjakderdhjen”.
- Siguria në të gjitha qytetet e Rusisë u rrit, pasi Prigozhin bëri thirrje, të premten mbrëma, për rebelim kundër ushtrisë ruse, duke e akuzuar atë për sulme vdekjeprurëse kundër forcave të tij në Ukrainë.
- Moska anuloi çdo aktivitet masiv në ambiente të jashtme deri më 1 korrik.
Prigozhin do të largohet për në Bjellorusi
Mediat shtetërore ruse raportojnë se shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, do të largohet për në Bjellorusi.
Sipas raporteve, akuzat kundër tij dhe forcave të tij Wagner do të shfuqizohen nga autoritetet ruse, për të shmangur “gjakderdhjen”.
Prigozhin dhe grupi i tij u akuzuan për nxitje të rebelimit të armatosur kundër ushtrisë ruse.
Pas gati 24 orësh rebelim, Prigozhin u dha urdhër forcave të tij që të tërhiqen, për të shmangur, siç tha, gjakderdhjen.
Wagneri nis tërheqjen nga Rostov-on-Doni
Trupat e Wagnerit filluan të largohen nga Rostov-on-Doni, raporton agjencia ruse e lajmeve Tass.
Ky qytet ishte nën kontrollin e mercenarëve për disa orë të shtunën e 24 qershorit.
Mercenerët u nisën edhe drejt Moskës, por u zmbrapsën, pasi shefi i tyre, Yevgeny Prigozhin, tha se do që të shmangë “gjakderdhjen ruse”.
Zelensky: Personi në Kremlin ka shumë frikë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dha një deklaratë duke komentuar ngjarjet e ditës në Rusi:
"Sot është një ditë kur definitivisht nuk duhet të ketë heshtje. Dhe ne, patjetër, kemi nevojë për udhëheqje. Sot, bota pa që bosët e Rusisë nuk kontrollojnë asgjë. Asgjë. Kaos i plotë. Mungesë e plotë e çdo parashikimi. Dhe, po ndodh në territorin rus, i cili është i mbushur me armë”.
Zelensky shtoi se sot “të gjithë banditët, mercenarët dhe oligarkët rusë” e panë se sa e lehtë është “të kapen qytetet ruse”.
“Personi në Kremlin është padyshim shumë i frikësuar dhe ndoshta fshihet diku, duke mos u shfaqur. Jam i sigurt se ai nuk është më në Moskë”, tha Zelensky, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin.