Ndërlidhjet

Rostov-on-Don, 24 qershor 2023
Rostov-on-Don, 24 qershor 2023

Mercenarët e Wagnerit tërhiqen në bazat e tyre

  • Shefi i grupit mercenar rus, Wagner, u tha trupave të tij të ndalin marshimin e tyre drejt Moskës, “për të shmangur gjakderdhjen”.
  • Më 23 qershor, Yevgeny Prigozhin bëri thirrje për rebelim kundër ushtrisë ruse, duke e akuzuar atë për sulme vdekjeprurëse kundër forcave të tij në Ukrainë.
  • Pasditen e 24 qershorit, Prigozhin u tha forcave të tij që të kthehen në bazat e tyre, pas negociatave me udhëheqësin bjellorus, Alexandr Lukashenko, raportoi kanali televiziv rus, Rossiya 24.
  • Presidenti rus, Vladimir Putin, e cilësoi sjelljen e Wagnerit si “tradhti”.
20:29 24.6.2023

Prigozhin vendos t’i kthejë mercenarët për të shmangur “gjakderdhjen ruse”

Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, tha të shtunën se ka urdhëruar forcat e tij të ndalojnë marshimin drejt Moskës dhe të tërhiqen në kampet e tyre fushore në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.

Yevgeny Prigozhin tha se njerëzit e tij ishin vetëm 200 kilometra larg Moskës, por vendosi t’i kthente ata për të shmangur “gjakderdhjen ruse”.

Ai nuk tha nëse Moska i është përgjigjur kërkesës së tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Nga Kremlini nuk ka ende komente.

19:56 24.6.2023

Prigozhin dhe presidenti bjellorus pajtohen për shtensionimin e situatës

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, zhvilloi bisedime me kreun e grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, gjatë të cilave Prigozhin ra dakord t’i ndalojë trupat e tij të lëvizin drejt Moskës dhe “ta shtensionojë situatën”, raporton kanali rus i lajmeve Rossiya 24.

“Prigozhin pranoi propozimin e Lukashenkos për të ndaluar lëvizjen e Wagnerit në territorin rus dhe për hapat e mëtejshëm për uljen e tensioneve”, raporton Rossiya 24, duke cituar shërbimin për shtyp të Lukashenkos.

Sipas burimit të njëjtë, presidenti rus, Vladimir Putin, është dakorduar për këto bisedime.

19:43 24.6.2023

Prigozhin “ndalon” lëvizjen e trupave drejt kryeqytetit rus

Udhëheqësi i mercenarëve të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, ka rënë dakord që “të ndalojë” lëvizjen e trupave të tij drejt kryeqytetit rus, raporton Reuters.

Agjencia e lajmeve thirret në një deklaratë që i atribuohet Zyrës së presidentit bjellorus.

Së shpejti do të kemi më shumë informacione...

19:26 24.6.2023

Biden bisedon me aleatët për situatën në Rusi

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, bisedoi me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe për situatën në Rusi.

“Ata, gjithashtu, pohuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas saj, presidenti dhe nënpresidentja Kamala Harris do të vazhdojnë të informohen gjatë ditës për zhvillimet në shtetin rus.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG