Prigozhin: Wagneri e mori qytetin pa asnjë të shtënë me armë
Jemi duke raportuar prej mëngjesit që mercenarët e grupit rus Wagner pretendojnë se e kontrollojnë qytetin rus Rostov-on-Don, që gjendet në jug të shtetit.
Në një audio-mesazh të publikuar në faqen e Wagnerit në Telegram, udhëheqësi i grupit, Yevgeny Prigozhin, pretendon se trupat e tij e kanë marrë kontrollin e qytetit “pa asnjë të shtënë të nisur nga ne”.
Ai ka pretenduar, po ashtu, se banorët e Rostov-on-Donit i kanë mbështetur pjesëtarët e Wagnerit, për shkak të “marshit të drejtësisë”.
Radio Evropa e Lirë nuk i ka verifikuar këto pretendime.
Zelensky: Dobësia e Rusisë është e qartë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se secili që zgjedh “rrugën e djallit, e shkatërron vetveten”, dhe se “dobësia e Rusisë është e qartë”.
Ndonëse nuk e ka përmendur presidentin rus, Vladimir Putin me emër, Zelensky duket se e ka kritikuar liderin rus për dërgimin e “qindra mijëra njerëzve” në luftë.
Sa më gjatë që Rusia i mban trupat dhe mercenarët në Ukrainë “aq më shumë kaos, dhimbje dhe probleme do të ketë brenda vetes”, ka thënë Zelensky.
Guvernatori i Rostovit paralajmëron kundër luftës civile
Pas pretendimeve të grupit mercenar rus, Wagner se e ka marrë kontrollin e qytetit rus Rostov-on-Don, guvernatori i rajonit, Vasiliy Golubev, ka paralajmëruar kundër katastrofës së luftës civile.
“Kanë qenë disa kohë në historinë e Rusisë kur disa kanë dashur të ndajnë shoqërinë tonë dhe të nxisin flakë të luftës civile… kjo ka çuar në katastrofë. Kjo nuk duhet të ndodhë më. Rajoni i Rostovit është me presidentin. Të dashur qytetarë, ne duhet të jemi të bashkuar”.
Mercenarë të Wagnerit pretendojnë kontrollin e bazës së dytë ushtarake
Transmetuesi britanik BBC është duke raportuar se pjesëtarë të Wagnerit po pretendojnë se e kanë fituar kontrollin e bazës ushtarake edhe në qytetin tjetër rus, Voronezh.
Më herët gjatë ditës, ky grup mercenar rus ka pretenduar se e ka fituar edhe kontrollin e qytetit në jug të Rusisë, Rostov-on-Don.
Sipas BBC-së në Voronezh ka shpërthyer një zjarr i madh në një depo të naftës.
Guvernatori rajonal, Alexander Gusev ka thënë se 100 zjarrfikës janë duke luftuar me flakët.
Voronezhi është në mes të qytetit Rostov-on-Don dhe kryeqytetit të Rusisë, Moskës.