Lideri çeçen shpreh gatishmëri për t’i shtypur veprimet e Wagnerit
Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, ka thënë të shtunën se forcat e tij janë të gatshme të ndihmojnë në shtypjen e rebelimit të grupit Wagner.
Ai ka thënë se nëse duhet, do të merren masa të ashpra.
Kadyrov e ka cilësuar sjelljen e shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin si “thikë pas shpine”, dhe u ka bërë thirrje ushtarëve rusë që të mos dorëzohen para “provokimeve”.
Zakharova u bën thirrje rusëve që ta mbështesin Putinin
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i ka bërë thirrje popullit rus që të jetë afër presidentit Vladimir Putin, pasi Putin i ka cilësuar veprimet e Wagnerit si “rebelim të armatosur”.
Putin e informon presidentin bjellorus për situatën në Rusi
Presidenti rus, Vladimir Putin e ka informuar homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenka për situatën në Rusi, sipas një deklarate të lëshuar nga Presidenca e Bjellorusisë në Telegram.
Në të është thënë se Putin është zotuar që do ta shtypë atë që e ka konsideruar rebelim, pasi shefi i grupit mercenar rus, Wagner ka thënë se e ka marrë kontrollin e qytetit jugor rus, Rostov-on-Don, teksa bën përpjekje për të rrëzuar krerët e ushtrisë së Rusisë.
Prigozhin: Të 25 mijë pjesëtarët tanë janë të gatshëm të vdesin
Në një mesazh të publikuar në mëngjesin e së shtunës, Yevgeny Prigozhin ka thënë se pjesëtarët e grupit të tij mercenar Wagner, janë “të gatshëm të vdesin” në aksionin e tij kundër ushtrisë ruse.
“Të gjithë prej neve jemi të gatshëm të vdesim. Të gjithë 25.000 mijë pjesëtarët dhe më pas 25.000 të tjerë”, ka thënë përmes një audio-mesazhi, duke shtuar se aksioni po kryhet “për popullin rus”.