Pamje nga Rostov-on-Don
Burra të armatosur, që raportohet të jenë nga grupi mercenar Wagner, janë parë në qytetin jugor të Rusisë, Rostov-on-Don, teksa udhëheqësi i grupit, Yevgeny Prigozhin, ka bërë thirrje për rrëzim të shefave të ushtrisë ruse.
Çfarë duhet të dini për Grupin Wagner?
Emrin Wagner ka gjasë që do ta dëgjoni më shpesh këto ditë.
Më poshtë po ju sjellim disa informacione që duhet t’i dini për të.
Grupi wagner – i njohur zyrtarisht si PMC Wagner - e cilëson veten si “kompani private ushtarake”.
Grupi është identifikuar për herë të parë më 2014, kur i ka mbështetur forcat separatiste pro-ruse në lindje të Ukrainës.
Prej atëherë është rritur vazhdimisht.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se Wagneri ka nisur të rekrutojë numër të madh ushtarësh më 2022, sepse Rusia e ka pasur problem që të gjejë njerëz për ushtrinë e saj të rregullt.
Rreth 80 për qind e trupave të Wagnerit, që kanë luftuar në Ukrainë, janë nxjerrë prej burgjeve, ka thënë Këshilli amerikan për Siguri Kombëtare, më herët gjatë këtij viti.
Në Ukrainë, Wagneri ka zhvilluar luftë të gjatë dhe shumë të kushtueshme, për të marrë kontrollin e qytetit të Bahmutit.
Raportohet se janë bastisur zyrat e Wagnerit në Shën Petersburg
Zyrtarët rusë për zbatim të ligjit raportohet të kenë kryer bastisje në zyrat e Wagnerit në Shën Petersburg.
“Zyrtarë për zbatim të ligjit kanë hyrë në Qendrën e Wagnerit në Shën Petersburg”, ka raportuar mediumi Fontanka.
Sipas saj, dy autobusë me forca speciale të policisë dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare kanë hyrë në ndërtesë.
Britania: Wagneri është nisur drejt Moskës
Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë në përditësimin e fundit të saj se disa njësite të Wagnerit “janë nisur në veri përmes rajonit Voronezh, dhe pothuajse me siguri e synojnë Moskën”.
Vorenezh shtrihet në mes të Moskës dhe Rostov-on-Donit, qytetit rus të cilin Wagneri pretendon se tani e kontrollon.