Kandidati për Prishtinën, Çeku hedh votën e tij
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje, ka votuar këtë mëngjesin në balotazhin për kryetar të kryeqytetit.
Çeku, i cili përballet me Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.
Balotazhi pa garë në Kllokot
Në 18 komunat e Kosovës u nevojit një rund i dytë votimi për shkak të garës së ngushtë mes kandidatëve, megjithatë, është një komunë në këtë rund ku nuk do të ketë garë praktikisht.
Kllokoti – komunë me shumicë serbe – mban balotazh vetëm formalisht, sepse Sreqko Spasiq nga Iniciativa Qytetare Uniteti Kombëtar Serb, u tërhoq nga gara dhe u kërkoi mbështetësve të tij të votojnë për kundërshtarin e tij, Bozhidar Dejanoviq, i cili vjen nga Lista Serbe.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon edhe mbështetjen e Beogradit, i fitoi nëntë komunat e tjera më shumicë serbe në rundin e parë më 12 tetor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë shpjegoi se zgjedhjet në Kllokot duhet të mbahen formalisht, sepse afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara ishte më 2 shtator, 2025. Spasiq u tërhoq në fillim të nëntorit.
Më shumë rreth balotazhit në Kllokot mund të lexoni në artikullin më poshtë:
Votimet në balotazh përmes fotografive
Abdixhiku i LDK-së pret zgjedhje parlamentare në dhjetor
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kthyer vëmendjen të mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, teksa votoi në Prishtinë në balotazhin për kryetar të kryeqytetit.
Ai tha se “nga dita e nesërme do të kthejmë fokusin te zgjedhjet nacionale. Pritjet tashmë janë se në fund të dhjetorit do të kemi festën e ardhshme zgjedhore”.
Sa për dijeni, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në fund të dhjetorin, pasi partitë parlamentare kanë dështuar ta zgjedhin qeverinë e re, pas zgjedhjeve të shkurtit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka nominuar Glauk Konjufcën e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, për të provuar ta bëjë qeverinë e re.
Nuk është e qartë se ai e gëzon mbështetjen e Kuvendit për këtë, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dështoi t’i fitojë 61 votat e nevojshme në përpjekje e tij javë më parë.