KQZ: Procesi po zhvillohet normalisht dhe pa incidente
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur në një konferencë për media se procesi i votimeve në balotazhin për kryetar komune në 18 komunat e vendit po zhvillohet normalisht dhe pa incidente.
“Nuk janë evidentuar parregullsi që do të mund të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në një konferencë të shkurtër për media.
Rama: Këto zgjedhje e definojnë edhe të ardhmen e vendit
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama, tha se uron që “më i miri të fitojë” garën për kryeqytetin në balotazhin e sotëm.
Pasi votoi pak para mesditës, Rama tha gjithashtu se dëshiron t’i falënderojë “të gjithë qytetarët për pjekurinë e maturinë që kanë treguar në këto zgjedhje”.
Rama përballet me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e Prishtinës.
Ai beson se këto zgjedhje janë të rëndësishme dhe se ato “nuk e definojnë vetëm të ardhmen e kryeqytetit por të ardhmen e gjithë vendit”.
Mbi 6 për qind votuan deri në orën 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se 6,13 për qind e qytetarëve kanë votuar deri në orën 11:00 në 18 komunat ku po zhvillohet balotazhi për kryetar komune.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se 80.659 qytetarë votuan në këto 18 komuna deri në orën 11:00, sipas të dhënave nga mbi 95 për qind të vendvotimeve.
Mbi 1 milion qytetarë kanë të drejtë vote në balotazh.
Kjo është një dalje pak më e ulët krahasuar me rundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, kur deri në orën e njëjtë në këto 18 komuna kishin votuar 7.58 për qind.
Krasniqi: Është një ditë e mirë për komunat dhe për Kosovën
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha u bëri thirrje qytetarëve të vendit të dalin dhe të marrin pjesë në balotazhin për kryetarë komunash.
Krasniqi, i cili votoi në Prishtinë, tha se “secili qytetar duhet dhe mund të luajë rol të rëndësishëm për t’u dhënë drejtim komunave ku jetojnë për katër vjetët e ardhshme”.
“Uroj që edhe ky proces të zhvillohet me rregull, ashtu siç ka shkuar edhe raundi i parë, dhe që qytetarët vërtet të vendosin për të ardhmen e tyre ashtu siç dëshirojnë ata”, tha ai.