Ndërlidhjet

Pse Koreja e Veriut po shkatërron rrugë e hekurudha lidhëse me koreanojugorët?


Tym pasi Koreja e Veriut e ka shkatërruar me lëndë shpërthyese një rrugë që lidh dy Koretë. Fotografi e 15 tetorit.
Tym pasi Koreja e Veriut e ka shkatërruar me lëndë shpërthyese një rrugë që lidh dy Koretë. Fotografi e 15 tetorit.

AFP

Hedhja e dinamitit në rrugët dhe hekurudhat lidhëse mes dy Koreve. Kërcënimi me luftë për shkak të inkursioneve me dronë. Pozicionimi i armëve bërthamore afër kufirit. Koreja e Veriut është shumë e pakënaqur me Korenë e Jugut, aktualisht, por pse?

Çfarë ka ndryshuar?

Për dekada, Koreja e Veriut është deklaruar zyrtarisht e përkushtuar për ribashkim, dhe në Kushtetutat e dy vendeve është pretenduar sovraniteti në gjithë Gadishullin.

Por, në janar, lideri i koreanoveriorëve, Kim Jong Un, ka thënë se Koreja e Jugut, “armikja e saj kryesore” i ka ndërprerë të gjitha komunikimet në një “nivel të pakthyeshëm”, dhe fjalët si “pajtim” apo “bashkatdhetarë”, i ka larguar nga fjalori.

Prej atëherë, e ka rritur numrin e testimeve të armëve, e ka bombarduar Korenë e Jugut me balonë të mbushur me mbeturina, ka kërcënuar me luftë, për shkak të inkursionit me dronë, dhe ka shkatërruar rrugë dhe hekurudha që lidhin dy shtetet.

“Koreja e Veriut është duke bërë atë që e ka thënë me fjalë”, ka thënë Lim Eul-chul, profesor në Universitetin Kyungnam, në disa përgjigje për agjencinë e lajmeve, AFP.

“Duket se reflekton vendosmërinë e Koresë së Veriut për të eliminuar plotësisht secilën pikë që mund t’i shërbejë unifikimit me Jugun”.

Kimi, madje, ka thënë së fundmi se shteti i tij nuk është më i interesuar për “çlirim të Koresë së Jugut”.

Pse tani?

Mund të lidhet me motin.

Shumë rajone të Koresë së Veriut janë përballur me vërshime shkatërruese këtë verë, duke lënë shtëpi dhe ferma nën ujë, dhe duke vrarë e zhvendosur shumë njerëz.

Pheniani mund të ketë orkestruar këtë rund të ri konflikti me Korenë e Jugut për të tërhequr vëmendjen prej problemeve në rritje brenda vendit, kanë thënë zyrtarë të Seulit.

Pretendimet e Koresë së Veriut se Seuli ka nisur dronët mbi Phenian – një shkelje e madhe e sigurisë – kanë dalë në faqet e para të mediave të kontrolluara plotësisht nga shteti.

Ky është tentim për t’i mobilizuar “shtetasit e Koresë së Veriut, të cilët janë lodhur nga diktatura e rreme e familjes së Kimit”, ka thënë ushtria koreanojugore.

Këshilltari i Seulit për Siguri Kombëtare, Shin Won-sik, ka thënë se “Koreja e Veriut është duke i përshkallëzuar tensionet, për të lënë në hije jostabilitetin në çështjet e brendshme”.

“Koreja e Veriut është regjim që, paradoksalisht, krijon stabilitet nga ekzistenca e kërcënimeve të jashtme ndaj sistemit të saj”, ka thënë ai në një intervistë për televizionin shtetëror.

Çështja e dronëve

Koreja e Veriut pretendon se ushtria koranojugore ka nisur dronë mbi Phenian për qëllime të propagandës kundër regjimit, një zhvillim “i rëndësishëm” që “tregon mënyrat se si mund të përshkallëzohet situata mes dy shteteve”, ka thënë analisti me bazë në Shtetet e Bashkuara, Ankit Panda, në disa përgjigje për agjencinë e lajmeve AFP.

Koreja e Veriut, të cilës i mungon mbrojtja e fuqishme bërthamore, është e pasigurt për inkursionet.

“Dronët mbi kryeqytetin e tyre mund t’iu krijojnë përshtypjen që në kohë lufte, koreanojugorët do të mund të godasin direkt Kim Jong Unin”, ka thënë ai.

Cheong Seong-chang, drejtor për strategji të Gadishullit Korean në Institutin Sejong, ka thënë se raportimet sugjerojnë që “shkelja është detektuar mbi hapësirën ajrore të selisë së Komitetit Qendror të Partisë Popullore të Koresë”.

“Udhëheqësja koreanoveriore do të shkundej tërësisht”, ka thënë ai për AFP-në.

Edhe nëse dronët vetëm kanë lëshuar materiale propagandistike, dhe nuk ka qenë synim identifikimi i zyrës së Kimit, çështja është problematike, pasi shteti konsideron gjithçka si “pajisje të jashtme që përbëjnë kërcënim”, ka thënë Leif-Eric Easley, profesor në Universitetin Ewha në Seul.

Ushtria e Seulit, në anën tjetër, ka thënë se Pheniani ka dërguar vazhdimisht dronë në Korenë e Jugut – përfshirë edhe në rajonin Yongsan të Seulit, më 2022, ku gjendet rezidenca presidenciale.

A është e përfshirë Rusia?

Aleatët tradicionalë, Rusia dhe Koreja e Veriut, janë afruar edhe më shumë, prej kur Moska e ka pushtuar Ukrainën, në shkurt të vitit 2022.

Seuli pretendon se Kimi ka dërguar armë në Moskë, për t’i përdorur kundër Kievit, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar së fundmi Korenë e Veriut për dërgim të trupave në ushtrinë ruse.

Pas shpërthimeve në rrugët dhe hekurudhat koreane, Kina aleate u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin. Mirëpo, Rusia fajëson Seulin për dronët, duke thënë se ka shkelur sovranitetin e Koresë së Veriut.

“Rusia dhe Koreja e Veriut nuk janë vetëm të përfshira në tregti të armëve, në kundërshtim me sanksionet, por janë edhe duke ringjallur përkushtimet diplomatike të kohës së Luftës së Ftohtë”, ka thënë Easley.

A ka ndodhur kjo më parë?

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut janë përfshirë shpesh në cikle të përshkallëzimit, dhe Pheniani e ka shkatërruar shpesh infrastrukturën për të marrë vëmendje për gjërat që ka potencuar.

Më 2008, koreanoveriorët e kanë shkatërruar një kullë të ftohjes në një kompleks bërthamor, pasi Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për ta larguar Phenianin prej listës së shteteve që sponsorojnë terrorizëm.

Më 2018, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me Korenë e Jugut për ulje tensionesh, koreanoveriorët kanë shkatërruar 10 pika të rojeve kufitare.

Pas ndërprerjes së kontakteve diplomatike, më 2020, koreanoveriorët kanë hedhur në ajër një zyrë ndërlidhëse, si shenjë zemërimi që aktivistët e Koresë së Jugut kanë dërguar balonë me përmbajtje propagandistike përreth kufirit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG