Ndërlidhjet

Çfarë duhet të dini për programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut?


A new 600mm multiple rocket launcher is test-fired at an undisclosed location in North Korea, in this photo released by North Korea's official Korean Central News Agency September 13, 2024.
A new 600mm multiple rocket launcher is test-fired at an undisclosed location in North Korea, in this photo released by North Korea's official Korean Central News Agency September 13, 2024.

Reuters

Koreja e Veriut ka publikuar për herë të parë pamje të një objekti për prodhimin e uraniumit të pasuruar, të cilin ka për qëllim ta përdorë për zhvillimin e bombave bërthamore.

Më poshtë mund të lexoni se çfarë dihet për rritjen e arsenalit bërthamor të Veriut

Pse po zhvillon Koreja e Veriut armë bërthamore?

Koreja e Veriut thotë se arsenali i armëve të saj bërthamore dhe raketave balistike janë të nevojshme për t’i luftuar kërcënimet nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, të cilët luftuan kundër Veriut në Luftën Koreane 1950-1953.

Peniani shpesh i ka përshkruar armët si çështje e prestigjit kombëtar dhe dëshmi për fuqinë e vendit.

Koreja e Veriut ka aftësi të shkrepë armë bërthamore përmes sistemeve të ndryshme raketore tokësore, përfshirë përmes raketave balistike interkontinentale (ICBMS) që janë në gjendje ta vënë në shenjë SHBA-në, sipas Shoqatës për Kontrollimin e Armëve me bazë në SHBA.

Kritikët, përfshirë ata në Uashington dhe Seul, thonë se këto armë janë përshkallëzuese, përbëjnë kërcënim për fqinjët e Veriut dhe ia shtjerrin burimet qytetarëve të varfëruar të vendit.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar shumë rezoluta që ia ndalojnë Koresë së Veriut zhvillimin e armëve bërthamore dhe raketave balistike, megjithëse anëtaret e Këshillit, Rusia dhe Kina, i kanë bllokuar sanksionet e reja dhe kanë kërkuar që ato ekzistuese të tërhiqen.

Sa armë bërthamore i ka Koreja e Veriut?

Mediat shtetërore verikoreane shfaqin fotografi të armëve të ndryshme bërthamore, por Koreja e Veriut nuk e ka bërë të ditur kurrë numrin e armëve që i zotëron, ndërsa analistët dhe agjencitë e huaja të inteligjencës ofrojnë vetëm shifra të përafërta.

Në një raport në korrik nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë thuhet se Veriu mund të ketë prodhuar mjaftueshëm materiale për t’i ndërtuar deri në 90 koka bërthamore, por shtoi se me gjasë ajo i ka rreth 50 armë bërthamore.

Lee Sang-kyu, ekspert i inxhinierisë bërthamore në Institutin për Analizimin e Mbrojtjes në Korenë e Jugut, tha se Koreja e Veriut vlerësohet t’i ketë rreth 80-90 koka bërthamore të uraniumit dhe plutoniumit, dhe se ky numër pritet të rritet në 166 deri në vitin 2030.

Si i ndërton armët bërthamore Koreja e Veriut?

Koreja e Veriut ka objekte në gjithë vendin të cilat i kontribuojnë programit të saj bërthamore, përfshirë miniera ku mblidhet uraniumi i papërpunuar, objekte për pasurimin e tij dhe reaktorë bërthamorë për shndërrimin e uraniumit dhe plutoniumit në bomba, si dhe fabrika të armëve.

E ndërtuar në fund të viteve ’50-ta me ndihmën sovjetike, Qendra Bërthamore për Hulumtim Shkencor, Yongbyon, ka së paku tre reaktorë, të cilët Veriu thotë se i përdor për të prodhuar rrymë.

Ajo e ka edhe një fabrikë për prodhimin e karburantit dhe një fabrikë për ripërpunimin e plutoniumit, ku materialet për prodhimi e armëve bërthamore mund të nxirren nga shufrat e karburantit të shpenzuar, sipas Iniciativës së Kërcënimit Bërthamor (NTI), një organizatë me bazë në Uashington.

Ajo është njëra nga fabrikat e mundshme të shfaqura të premten. Koreja e Veriut besohet se ka më shumë centrifuga gjithashtu, përfshirë në një zonë në Kangson.

Ku i teston armët Koreja e Veriut?

Zona e Testimeve Bërthamore, Punggye-ri, ndodhet në një rajon bjeshkor larg në verilindje të vendit, rreth 100 kilometra larg kufirit me Kinën.

Koreja e Veriut i ka kryer të gjitha gjashtë testimet bërthamore në atë zonë në vitet 2006, 2013, janar 2016, shtator 2016 dhe shtator 2017.

Analistët e vunë në dyshim pretendimin e Koresë së Veriut se në janar 2016 testoi për herë të parë bombë termobërthamore, por besojnë një armë e tillë me gjasë u testua më 2017 dhe shpërthimi i saj ishte shumë më i madh krahasuar me testimet e kaluara.

Të gjitha testimet janë kryer në tunele të gërmuara thellë nën bjeshkë. Ka tri hyrje të dukshme të njohura si Porta Jugore, Porta Lindore dhe Porta Perëndimore.

Hyrjet në ato tunele ishin demoluar para një grupi mediash të huaja që ishin ftuar për ta parë shkatërrimin e tyre kur Koreja e Veriut e mbylli këtë zonë më 2018, duke e deklaruar një moratorium në testimin e armëve bërthamore.

Por, Kimi ka thënë se nuk e respekton më moratoriumin, pasi bisedimet për denuklearizimi ngecën më 2019.

Më 2022, pamjet satelitore shfaqën Korenë e Veriut duke punuar në rikthimin e atyre tuneleve, duke i rritur mundësitë për testime të reja.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG