Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Gëzimi për numërimin e të gjitha votave të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë nuk zgjati shumë. Shumë shpejt nisi rinumërimi i disa votave, ndërsa ankesat e partive politike u bartën prej një gjykate në tjetrën. Në gjithë këtë situatë, pashmangshëm lindin dilemat nëse ka tendencë për zvarritje të procesit që duhet të rezultojë me formim të institucioneve të reja, apo gjithçka është brenda afateve ligjore.
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
Dëgjojeni versionin audio të materialit:
Ka apo s’ka urgjencë për formimin e institucioneve të reja? Kjo është dilema e ditëve të fundit në Kosovë.
Publiku duket se është i ndarë, dhe secili grup i ka argumentet e veta. Ky disponim shpërfaqet edhe në bindjet e njohësve të çështjeve politike, të cilët i kemi kontaktuar për këtë temë.
Për Bekim Salihun nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, situata aktuale e rinumërimit të votave dhe e ankesave nuk përbën risi, sepse rëndom partitë politike i kanë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat ligjorë në dispozicion për të adresuar vërejtje ose ankesa të natyrave të ndryshme lidhur me zgjedhjet.
“Të dhënat nga zgjedhjet e kaluara tregojnë se periudha mesatare që i është dashur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i certifikuar rezultatet ka qenë 21 deri në 30 ditë, kështu që akoma jemi brenda margjinës së një praktike nga e kaluara”, thotë ai.
Salihu beson se procesi, aktualisht, po zhvillohet me dinamikë normale, që mund të rezultojë me formim të Qeverisë në formë të rregullt:
“Kosova nuk është pa Qeveri. Brenda 10 ditëve, Qeveria mund të kalojë në Qeveri në detyrë, dhe si Qeveri në detyrë nuk mundet të procedojë vetëm me miratimin e ligjeve, përndryshe të gjitha funksionet tjera i ka të lejueshme. Natyrisht që zgjedhjet mbahen për t’u formuar Qeveria e re, dhe është e rëndësishme që të formohet, por aktualisht nuk ka mangësi ose hendek”.
"Kosova nuk ka luks për të zvarritur procese"
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit i fitoi Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila aktualisht është në pushtet, por që nuk i ka votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë së re.
Kryeministri aktual, Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, zotohet se do ta formojë ekzekutivin e ri, por pa treguar saktë se si.
Zëra brenda partisë së tij përmendin mundësinë e një koalicioni me minoritetet joserbe, dhe llogarisin në mbështetjen e ndonjë deputeti të partive të mëdha shqiptare, ani pse ky skenar nuk konsiderohet se do të prodhojë stabilitet.
Partitë e mëdha shqiptare kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me Kurtin, madje kanë vendosur kushte edhe për arritjen e ndonjë koalicioni eventual me njëra-tjetrën.
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), beson se, duke e marrë për bazë situatën gjeopolitike në botë, dinamikat brenda administratës së re në Shtetet e Bashkuara dhe zhvillimet e reja në Bashkimin Evropian, duket se ka mobilizim të tërësishëm të autoriteteve atje që të jenë të përgatitura dhe vigjilente karshi rrezikut dhe kërcënimeve, qoftë ndaj sigurisë, qoftë ndaj territorit.
“Unë nuk mendoj që Kosova e ka luksin të humbë edhe shumë kohë në këtë aspekt, për faktin që edhe neve na presin mjaft obligime, sidomos obligimet që kemi në dialogun me Serbinë”, shprehet Bugaqku, duke përmendur edhe përpjekjet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Prandaj, ai e sheh të rrugës që “të ketë një dinamizëm dhe fokus të gjerë edhe për çështjen e rajonit të Ballkanit”.
Kuvendi, “urgjenca e vetme”
Për Salihun, e vetmja urgjencë duhet të ekzistojë në konstituimin e Kuvendit të Kosovës:
“Janë rreth 800 milionë euro që Bashkimi Evropian i ka dedikuar për Kosovën dhe, siç u kuptua, BE-ja pret që këto marrëveshje, këto fonde, fillimisht të miratohen në Kuvendin e Kosovës, për të mundësuar procedimin tutje, sipas natyrës së alokimit të tyre”.
Kuvendi konstituohet kur të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e tij. LVV-së, si fituese e zgjedhjeve, i takon që ta propozojë emrin e kryetarit, por nëse kjo parti nuk çon përpara një emër, procesi ngrin në vend.
Salihu nuk beson që do të ndodhë diçka e tillë, meqë, sipas tij, ky skenar do ta dëmtonte partinë në fjalë, për shkak se “mund të shihet si një lloj sabotimi, kundërshtimi, neglizhence, papërgjegjësie”.
Bugaqku nuk sheh shumë nguti në këtë drejtim, dhe beson se në këtë situatë përfiton Qeveria aktuale:
“Iu shkon për shtati ministrave, zëvendësministrave, atyre që bartin ende pozicione të larta shtetërore, për faktin se gjithçka lidhet me krijimin e institucioneve, dhe meqë nuk po ka nguti në gjithë këtë situatën e pasigurisë me rezultate, me dyshimet dhe ankesat që po bëhen, dikush mund të mendojë dhe ta shohë edhe më afatgjatë qëndrimin në pushtet”.
Megjithatë, Bugaqku përmend se shumë shpejt edhe këta zyrtarë mund të kenë kufizime, apo të mos mund të nënshkruajnë e ratifikojnë marrëveshje ndërkombëtare, prandaj duhet të ekzistojë sa më parë një Kuvend që e mban llogaridhënës ekzekutivin.
Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese, LVV-ja në këtë rast, që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.
Deri atëherë, të gjithë sytë te KQZ-ja!
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- Kosova pa asnjë kontratë lobimi në SHBA
- Liberalizimi i tregut të energjisë: Bizneset përballen me rritje të kostos
- Dinari serb - i ndaluar në rregullore, i pranuar në treg
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.