Ndërlidhjet

Ushtarë patrullojnë në rrugë pasi një dron ose objekt i ngjashëm goditi një ndërtesë banimi në komunën Wyryki të Polonisë.
Ushtarë patrullojnë në rrugë pasi një dron ose objekt i ngjashëm goditi një ndërtesë banimi në komunën Wyryki të Polonisë.

Drejtpërdrejt Ambasadori amerikan në NATO: SHBA-ja do të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleancës

E përditësuar

•Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, thotë se 19 dronë rusë u futën në hapësirën ajrore të vendit gjatë sulmeve mbi Ukrainën perëndimore.

•Tusk thekson se deri në katër dronë u rrëzuan nga aeroplanët polakë dhe të NATO-s, dhe kjo është hera e parë që dronë rusë rrëzohen mbi Poloni.

•Rusia tha se se nuk kishte planifikuar që të godiste ndonjë objektiv në Poloni.

•Polonia e ka cilësuar incidentin “akt agresioni që përbënte kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”.

Ambasadori amerikan në NATO tha se SHBA-ja do të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleancës.

•Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar këtë “përshkallëzim” si një “precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për Evropën”.

13:29

Kremlini thotë se nuk do ta komentojë incidentin në Poloni

Kremlini ka dhënë komentin e parë mbi incidentin në Poloni… por vetëm për të thënë se nuk do të komentojë.

“Ne nuk do të donim të komentonim për këtë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference të përditshme me gazetarët.

“Kjo nuk është çështje për ne. Është një çështje për Ministrinë [ruse] të Mbrojtjes”, shtoi ai.

I pyetur për akuzat e ngritura ndaj Moskës, Peskov u përgjigj: “Udhëheqësia e BE-së dhe e NATO-s e akuzojnë Rusinë për provokime çdo ditë, zakonisht pa u mbështetur në fakte”.

13:23

Rutte: Shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia, absolutisht e rrezikshme

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë ishte "absolutisht e rrezikshme".

Ai tha se mbrojtja ajrore e NATO-s “u aktivizua dhe siguroi me sukses mbrojtjen e territorit të Aleancës, ashtu siç është e parashikuar të bëjë”. Sipas tij, disa aleatë të NATO-s morën pjesë në rrëzimin e dronëve rusë, përfshirë Holandën, Italinë, Poloninë dhe Gjermaninë.

Rutte theksoi se ende nuk është bërë një vlerësim i plotë i incidentit.

"Pavarësisht nëse ishte e qëllimshme apo jo, është absolutisht e pakujdesshme, absolutisht e rrezikshme. Por, vlerësimi i plotë është ende duke u kryer", tha Rutte.

"Mesazhi im për Putinin është i qartë: ndalo luftën në Ukrainë. Ndalo së shkeluri hapësirën ajrore të aleatëve. Dhe, dije se ne jemi të gatshëm, jemi vigjilentë dhe do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s".

Shefi i NATO-s, Mark Rutte.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte.
12:50

Perëndimi e dënon hyrjen e dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë

Polonia i rrëzoi tre apo katër prej 19 dronëve rusë që u futën në hapësirën e saj ajrore të mërkurën, duke u bërë anëtari i NATO-s që dihet se ka shtënë gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ja disa reagime të liderëve perëndimorë:

Kaja Kallas, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë

"Lufta e Rusisë po përshkallëzohet, nuk po përfundon. Duhet ta rrisim koston për Moskën, ta forcojmë mbështetjen për Ukrainën dhe të investojmë në mbrojtjen e Evropës", tha Kallas.

"BE-ja luan rol të madh dhe ne do të mbështesim iniciativa si linja e mbrojtjes, Mburoja e Kufirit Lindor”, theksoi ajo.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

"Shkelja e hapësirës ajrore polake nga dronët rusë gjatë një sulmi të kryer nga Rusia kundër Ukrainës është thjesht e papranueshme. E dënoj këtë në termat më të fuqishëm. I bëj thirrje Rusisë t’i japë fund këtij përshkallëzimi të pakujdesshëm", tha Macron.

"Ua rikujtoj popullit polak dhe Qeverinë së tyre solidaritetin tonë të plotë. Së shpejti do të flas me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Nuk do të bëjmë kompromis për sigurinë e aleatëve", shtoi ai.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer

"Sulmi barbar i mëngjesit të sotëm kundër Ukrainës dhe shkelja e jashtëzakonshme dhe e paparë e hapësirës ajrore polake dhe të NATO-s nga dronët rusë është shumë shqetësuese”, tha Starmer.

Ai shtoi se “ky ishte një veprim jashtëzakonisht i pakujdesshëm i Rusisë dhe vetëm sa na e kujton mungesën e respektit që presidenti Putin ka për paqen, si dhe sjell ndërmend bombardimet e përditshme ndaj qytetarëve të pafajshëm ukrainas".

Gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus Grynkewich, komandant suprem i NATO-s në Evropë

"Kryesia Supreme e Aleancës së Fuqive të Evropës dhe Komanda Aleate e Operacioneve janë në kontakt dhe koordinim të ngushtë me Poloninë dhe aleatët e tjerë lidhur me dronët që u futën në hapësirën ajrore të Polonisë”, tha ai.

NATO-ja reagoi shpejt dhe vendosmërisht ndaj situatës, duke demonstruar aftësinë dhe vendosmërinë tonë për të mbrojtur territorin e aleatëve, theksoi Grynkewich.

12:32

Polonia - vendi evropian që ia rrëzoi tre apo katër dronë Rusisë të mërkurën - është shtëpi e një prej bazave më të mëdha amerikane në Evropë.

Në fillim të vitit 2025, Shtetet e Bashkuara kishin gati 84.000 ushtarakë në Evropë, prej të cilëve, 8.200 në Poloni.

Polonia është aleate e SHBA-së në NATO.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG