Një koncert në kryeqytet i grupit më të famshëm të rokut në vend, një resort luksoz dhe një dasmë fundjave në qendër të Lvivit. Këto ngjarje nuk kanë mundur të jenë më të spikatura.
Rekrutuesit ushtarakë morën pjesë në këto ngjarje, në mesin e shumë të tjerëve në gjithë Ukrainën rishtazi, duke kërkuar burra që nuk janë regjistruar për të shërbyer në bazë të një ligji kontrovers dhe të debatuar për thirrje në ushtri, i cili mori pëlqimin e Parlamentit pranverën e fundit.
Në disa raste, rezultati ishte dramatik. Pamjet jashtë koncertit të grupit Okean Elzy në Pallatin e Sporteve të Kievit, më 11 tetor, shfaqën oficerët duke e tërhequr zvarrë në trotuar një burrë në rroba civile, i cili dëgjohet duke kundërshtuar zëshëm teksa kalimtarët e rastit brohorisnin “turp”.
Ky ishte një shembull i pastër i përplasjes së dy botëve në Ukrainë, ku betejat vdekjeprurëse po vazhdojnë përgjatë vijës së frontit 1.200 kilometra të gjatë, dhe ku jeta – madje edhe jeta e natës – po vazhdon përkundër sulmeve raketore dhe me dronë ndaj qyteteve dhe qytezave në gjithë vendin.
“Gjysma e vendit po qan dhe gjysma e vendit po kërcen [nga gëzimi]”, tha Oleksiy Haran, profesor i shkencave politike dhe drejtor në fondacionin Iniciativat Demokratike me bazë në Kiev, duke përdorur një frazë që rimon në gjuhën ukrainase për të theksuar ndarjen mes ushtarëve në front dhe civilëve që jetojnë jetë relativisht të qetë në kohë lufte.
Në përpjekjen e saj jetike për të zmbrapsur pushtimin rus, Ukraina përballet me sfida të shumta. Qyteti kyç Donbas mund të bjerë së shpejti, sepse forcat ruse po çajnë përpara me ndihmën e epërsisë ajrore. Sulmet ruse mbi infrastrukturën energjetike mund ta bëjnë dimrin veçanërisht të vështirë.
Dhe e ardhmja e mbështetjes vendimtare nga Perëndimi – kur bëhet fjalë për armë, ndihmë financiare dhe mbështetje diplomatike – është e turbullt, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në SHBA dhe mosmarrëveshjeve midis vendeve anëtare të BE-së.
Një lojë vdekjeprurëse numrash
Por bastisjet për rekrutim tregojnë për një problem që "ka marrë përmasa të pabesueshme", tha analisti politik me bazë në Kiev, Oleksiy Koshel: Një nevojë e madhe për më shumë ushtarë në vijën e frontit. Ky është një problem që Kievi duhet ta zgjidhë, dhe një problem që pasojat e tij ndihen larg fushëbetejës, duke përkeqësuar përçarjet në shoqëri, kur gjëja e fundit që i duhet Ukrainës është përçarja.
Mungesa e ushtarëve është problem edhe për Rusinë, pasi ushtria e Moskës po bën "përparime mjaft modeste me kosto jashtëzakonisht të lartë në njerëz dhe pajisje", tha Ruth Deyermond, ligjëruese në Departamentin e Studimeve të Luftës në King's College të Londrës.
Por, në rastin e Ukrainës problemi është "më dukshëm dhe më serioze".
"Nuk ka mjaftueshëm njerëz në front – kjo është fakt absolut", tha për REL-in analisti ushtarak ukrainas Pavlo Narozhniy. "Ka mungesë personeli në të gjitha njësitë, pa përjashtim".
Ushtria e Ukrainës "nuk mund të fitojë kurrë në lojën e numrave kundër një kundërshtari si Rusia, me një popullsi shumë më të madhe dhe një udhëheqje të gatshme të paguajë me gjak një çmim të lartë për qëllimet e saj të luftës", tha Simon Schlegel, analist i lartë për Ukrainën në Grupin për Kriza.
Kjo gjë nuk ishte shqetësuese në vitin e parë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, që filloi në shkurt 2022. Në fillim, “vullnetarët formonin radhë të gjata jashtë qendrave të rekrutimit dhe shpesh sillnin pajisjet e tyre dhe organizonin vetë trajnimin", tha Schlegel. Në vitin 2023, megjithatë, "numri i bollshëm i vullnetarëve u shterua".
Ligji për mobilizimin është pjesë e një sërë përpjekjesh këtë vit për të rritur numrin e ushtarëve. Ndër të tjera, ai kërkon që burrat nga mosha 25 deri në 60-vjeçare t’i përditësojnë të dhënat e tyre personale në qendrat e rekrutimit të udhëhequra nga ushtria ose në zyrat administrative civile, ose përmes një aplikacioni qeveritar, Reserve+.
"Kjo ndihmoi të pasqyrohet qartë lloji i rezervës në të cilën Kievi mund të mbështetet. Ajo rezervë, mbase rreth 3.7 milionë rekrutë, është shumë më e madhe se ndoshta 200.000 ushtarë që Kievi shpreson t’i mobilizojë këtë vit", tha Schlegel.
“Mobilizimi i egër”
Por, ka shumë probleme: nga pengesat për stërvitje te korrupsioni. Për shembull, shumë ushtarë që janë të kualifikuar për të trajnuar, kanë vdekur ose janë të zënë duke luftuar në vijën e frontit. Ndërkohë, korrupsioni ua burrave ta shmangin shërbimin përmes ryshfetit dhe dredhive të tjera.
Ka gjithashtu dhe mosbindje për të shërbyer në ushtri, duke përfshirë faktin se ligji për mobilizimin nuk përcakton rregulla për demobilizim ose rotacion. Kjo i ka shqetësuar rekrutët e mundshëm se, si ushtarët e rraskapitur që kanë luftuar me shumë pak ose pa pushim fare prej vitit 2022 ose 2023, edhe ata pasi të hyjnë në ushtri mund të mos dalin kurrë të gjallë.
Një raport i 15 tetorit në median Ukrayinska Pravda citoi Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm duke thënë se gati 18.300 raste të dezertimit u regjistruan në periudhën janar-shtator të këtij viti, katërfish më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Përpjekje për t’i sjellë me forcë burrat në ushtri ose për t'i thirrur për t'u regjistruar – nganjëherë e quajtur "mobilizim i egër" – kanë ndodhur shumë para se të miratohej ligji i ri. Që nga dimri i parë i plotë i luftës së përgjithshme, video që tregojnë rekrutues duke shpërndarë njoftime për thirrje në ushtri në mënyra agresive, dinake e ndonjëherë edhe të dhunshme, janë shfaqur shpesh në internet.
Me rritjen e mungesës së ushtarëve të Ukrainës, është rritur edhe debati publik. Në një sondazh nga Qendra Razumkov me bazë në Kiev, në fund të qershorit, pothuajse gjysma e të anketuarve – 46 për qind – thanë se “nuk është turp ta shmangësh shërbimin ushtarak”, ndërsa 29 për qind thanë se po.
Bastisja jashtë koncertit preku në nerv në një kohë të ndjeshme për Ukrainën, me presidentin Volodymyr Zelensky që po përpiqet t'ua shesë ukrainasve dhe mbështetësve të huaj të Kievit një “plan fitoreje” që do të kërkonte rritje të mbështetjes nga Perëndimi dhe një ftesë për anëtarësim në NATO para përfundimit të luftës.
Lideri i grupit Okean Elzy, Svyatoslav Vakarchuk, është një yll roku dhe ish-ligjvënës që themeloi partinë opozitare Holos (Zëri) në vitin 2019. Pamjet e përplasjes midis rekrutuesve dhe civilëve u bënë virale dhe nxitën reagime të forta nga të dyja palët rreth shërbimit ushtarak dhe metodave të përdorura për të rritur numrin e ushtarakëve në front.
“Ata po i marrin të gjithë pa dallim”, tha një burrë në qytetin verior të Çernihivit për REL-in. “Dhe ku i çojnë ata – drejt vdekjes? Unë mendoj se kjo është e gabuar”.
Një banor tjetër i Çernihivit nuk u pajtua me të.
“Mendoj se kjo është detyra e cdo burri. Unë kam shërbyer nga viti 2015. Kam luftuar në dy luftëra. Prandaj, mendoj se kjo është detyrë e cdo burri ukrainas”, tha ai.
“Ne duam të vallëzojmë derisa ju luftoni”
Metodat e mobilizimit që i kanë vënë rekrutuesit ushtarakë – të cilët janë në disa raste veteran të plagosur në luftë – kundër qytetarëve, tregojnë një “përzierje shpërthyese”, tha deputeti ukrainas Oleksiy Honcharenko për Current Time.
“Ata i kanë humbur vëllezërit e tyre në ushtri dhe shëndetin e vet, ndërsa ja këtu janë në rrugët e qytetit të madh ku jeta është e gjallë me plot aktivitete, ku ka restorante, klube dhe koncerte”, tha ai.
“Kjo është gabim, sistemi [i qendrave të rekrutimit] duhet të jetë plotësisht civil”, tha Honcharenko, duke shtuar se “e gjithë kjo krijon tensione në shoqërinë ukrainase, natyrisht”.
Në një postim në Facebook, ushtarja Lesya Hanzha sugjeroi se thirrjet “turp!” drejtuar rekrutuesve dhe policisë pranë koncertit ishin shenja të “një shoqërie që ngatërron turpin me nderin” – një ndarje mes ushtrisë dhe qytetarëve të zakonshëm nga njëra anë, dhe një elite të privilegjuar e përbuzëse nga ana tjetër.
“[Më] tingëllon si një mesazh: ‘Ju jeni humbës dhe ne jo. Ne duam të kërcejmë derisa ju luftoni, dhe ne mendojmë se kjo është në rregull.’ Një paturpësi e hapur që paraqitet si e drejtë njerëzore”, shkroi ajo.
Konfrontimet si ajo jashtë koncertit të Okean Elzyt gjithashtu hapin një mundësi për propagandën ruse, sipas Qendrës së Shtetit për Luftimin e Dezinformatave. Kjo Qendër tha se mediat ruse dhe blogerët pro-Kremlinit kanë përdorur zhvillimet për të promovuar narrativat se mobilizimi është i padrejtë në Ukrainë dhe se Qeveria “dëshiron të luftojë deri në ukrainasin e fundit”.
Megjithatë, kriza e numrit të ushtarëve lë nën hije çdo kërcënim nga propaganda ruse, sugjerojnë analistët.
Nëse dinamika e mobilizimit nuk ndryshon, e ardhmja duket e zymtë, tha Narozhniy për REL-in. Një “katastrofë” është e pamundur, por “ne do të tërhiqemi vazhdimisht në zonat ku armiku po përparon”.
“Po, ata po përparojnë ngadalë; po, ata po fitojnë disa dhjetëra metra në ditë – por është ende ofensivë e ngadalshme. Është si gangrena që gërryen një njeri, dhe në rastin tonë, për fat të keq, po e gërryen vendin tonë”, tha ai.
“Nëse gjërat nuk ndryshojnë dhe kjo prirje negative vazhdon, ne do ta humbim vendin tonë dhe popullin tonë”.