Zvicra kërkon që të mos tensionohet situata
Edhe Zvicra bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të tensionojnë situatën.
Ky shtet tha se ndan shqetësimet lidhur me rregulloren e BQK-së, sa i përket njoftimit të publikut me të, por pranoi se autoritetet kanë vendosur një periudhë tranzitore.
Zvicra kërkoi që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Aneksin e zbatimit të saj si dhe të përfshirët në sulmin në Banjskë të mbahen përgjegjës.
Vuçiq për Banjskën: Integriteti i vetëm territorial që është shkelur është i Serbisë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë adresimit final para OKB-së, foli edhe për sulmin në Banjkës të Zveçanit, duke theksuar se Serbia ka nisur procesin e hetimit dhe pritet të ketë edhe aktakuza.
“Por, duhet ta kuptoni se integriteti i vetëm territorial që është shkelur është i Serbisë”, tha ai.
Lideri serb po ashtu kundërshtoi akuzat e Kurtit se Serbia mbështet aktivitete kriminale dhe pastrim parash përmes dërgimit të dinarëve.
Ai tha se shembulli më i mirë është se dinarët në Kosovë transportohen nga një kompani britanike, e quajtur “Henderson”. Sipas tij, kjo kompani dërgon para në Kosovë për pensionet, rrogat dhe ndihmat e tjera.
Kurti insiston se nuk është ndaluar dinari serb në Kosovë
Në adresimin e dytë para OKB-së, kryeministri kosovar, Albin Kurti, u zotua se do të komunikojë më shumë dhe do të informojë serbët për çështjen e rregullores së OKB-së dhe këtë do ta bëjë në gjuhën serbe, në mënyrë që ata ta kuptojnë qartë.
“Dinari nuk është ndaluar në Kosovë. Qytetarët e Kosovës mund të kenë dinarë, por euroja është valuta e vetme, sa i përket pagesës. Shekullin e kaluar ne kemi pasur dinarin si mjet pagese, kur ne ishim nën pushtim”, tha Kurti.
Ai iu përgjigj edhe akuzave se po i konsideron serbët si “kriminelë”, duke thënë se një komunitet kurrë nuk mund të jetë kriminal, “ka struktura paralele, por jo komunitete paralele”.
Kurti: Nuk duam të hakmerremi
Seanca e OKB-së u përmbyll me adresimin e dytë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai tha se Serbia duhet të ndalojë së “fantazuari” se Kosova po kërkon hakmarrje për vrasjet dhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës.
“Ne nuk do të hakmerremi. Dua drejtësi dhe drejtësi është drejtësi duke mos qenë hakmarrje. Në mënyrë që të kemi paqe, raporte normale, ata duhet të ndalen së fantazuari se ne po kërkojmë hakmarrje. Unë si kryeministër iu garantoj se nuk po kërkojmë hakmarrje”, tha ai.
Pas këtij fjalimi, Vuçiq u dëgjua duke kërkuar fjalën dhe duke thënë se “do të ketë drejtësi për njerëzit tanë”. Por kryesuesja e mbledhjes, nuk ia dha fjalën liderit serb e shpalli të mbyllur seancën.