Ndërlidhjet

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 8 shkurt 2024.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 8 shkurt 2024.

Kosova dhe Serbia këmbejnë akuza, SHBA kërkon pezullimin e vendimit të BQK-së

Pse u diskutua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?

  • Me kërkesë të Serbisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së debatoi për situatën në Kosovë, pas disa vendimeve të Qeverisë së Kosovës
  • Kosova dhe Serbia këmbyen akuza për vendimin për ndalimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë. Serbia e cilësoi si "sulm ndaj serbëve", ndërkaq Kosova tha se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës synon të mbrojë qytetarët nga aktivitetet e paligjshme
  • Anëtarët e Këshillit të Sigurimit i kërkuan Serbisë që të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin në Banjskë dhe që Kosova e Serbia t'i kthehen dialogut për normalizimin e raporteve
00:46 9.2.2024

Lexues të nderuar,

Në tekstin e mëposhtëm gjeni një përmbledhje të seancës në OKB, ku u diskutua për situatën në Kosovë, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb

01:16 9.2.2024

Në videon më poshtë mund të shikoni të përmbledhura disa prej përplasjeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Në OKB, Kurti e Vuçiq shkëmbejnë akuza për dinarin serb
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

10:58 9.2.2024

Kupchan: Kurti dhe Vuçiq po e vështirësojnë zgjidhjen duke luajtur me karta nacionaliste

Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Charles Kupchan, ka komentuar për Radion Evropa e Lirë debatin e nxehtë mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

"Ky është edhe një tjetër rund i dialogut të ashpër mes Kurtit dhe Vuçiqit. Pavarësisht faktit se Marrëveshja e Ohrit, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është në tryezë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duket se po kthehen prapa dhe nuk po ecin përpara", ka thënë Kupchan, aktualisht profesor në Universitetin Georgetown.

"Unë mendoj se kryeministri Kurti është duke bërë disa veprime të panevojshme provokuese. Ka qenë çështja e letërnjoftimeve, e targave, e instalimit të kryetarëve [shqiptarë] në veri, për të cilët ka votuar një përqindje shumë e vogël e banorëve... tani u thotë serbëve se nuk mund t’i përdorin dinarët më, ekziston vetëm një monedhë zyrtare dhe ajo është euroja", ka deklaruar ai.

Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown.
Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown.

"A i ka të justifikueshme këto gjëra? Po, sepse çdo vend sovran duhet të jetë në gjendje të thotë se ne kemi monedhën tonë, euro... ose të ketë një autoritet përgjegjës për lëshimin e targave", është shprehur ai.

"Por, duket se Kurti po i ndërmerr këto veprime duke luajtur me një kartë nacionaliste - me ç’gjë e vështirëson përparimin e Marrëveshjes së Ohrit", ka vlerësuar Kupchan.

Intervistën e plotë të Kupchanit për Radion Evropa e Lirë mund ta lexoni këtu.

Të dashur lexues, këtu e mbyllim blogun për debatin në OKB. Për më të rejat e fundit na ndiqni në rubrikën e lajmeve. Faleminderit që ishit me ne!

XS
SM
MD
LG