Kurti insiston se nuk është ndaluar dinari serb në Kosovë
Në adresimin e dytë para OKB-së, kryeministri kosovar, Albin Kurti, u zotua se do të komunikojë më shumë dhe do të informojë serbët për çështjen e rregullores së OKB-së dhe këtë do ta bëjë në gjuhën serbe, në mënyrë që ata ta kuptojnë qartë.
“Dinari nuk është ndaluar në Kosovë. Qytetarët e Kosovës mund të kenë dinarë, por euroja është valuta e vetme, sa i përket pagesës. Shekullin e kaluar ne kemi pasur dinarin si mjet pagese, kur ne ishim nën pushtim”, tha Kurti.
Ai iu përgjigj edhe akuzave se po i konsideron serbët si “kriminelë”, duke thënë se një komunitet kurrë nuk mund të jetë kriminal, “ka struktura paralele, por jo komunitete paralele”.
Vuçiq për Banjskën: Integriteti i vetëm territorial që është shkelur është i Serbisë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë adresimit final para OKB-së, foli edhe për sulmin në Banjkës të Zveçanit, duke theksuar se Serbia ka nisur procesin e hetimit dhe pritet të ketë edhe aktakuza.
“Por, duhet ta kuptoni se integriteti i vetëm territorial që është shkelur është i Serbisë”, tha ai.
Lideri serb po ashtu kundërshtoi akuzat e Kurtit se Serbia mbështet aktivitete kriminale dhe pastrim parash përmes dërgimit të dinarëve.
Ai tha se shembulli më i mirë është se dinarët në Kosovë transportohen nga një kompani britanike, e quajtur “Henderson”. Sipas tij, kjo kompani dërgon para në Kosovë për pensionet, rrogat dhe ndihmat e tjera.
Zvicra kërkon që të mos tensionohet situata
Edhe Zvicra bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të tensionojnë situatën.
Ky shtet tha se ndan shqetësimet lidhur me rregulloren e BQK-së, sa i përket njoftimit të publikut me të, por pranoi se autoritetet kanë vendosur një periudhë tranzitore.
Zvicra kërkoi që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Aneksin e zbatimit të saj si dhe të përfshirët në sulmin në Banjskë të mbahen përgjegjës.
Franca kërkon që të punohet në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë
Përfaqësuesi i Francës në OKB tha se ka nevojë për stabilizim të situatës në terren dhe që Kosova dhe Serbia të punojnë në normalizimin e raporteve.
Parisi zyrtar u bëri thirrje palëve që të shmangin çdo veprim të njëanshëm që do të mund të nxiste tensionet.
Franca tha se është e shqetësuar me rregulloren e BQK-së dhe mbylljen e institucioneve në Kosovë, duke argumentuar se këto ngjarje mund të kenë ndikim në jetën e serbëve.
Çështja e strukturave paralele serbe, sipas Francës, duhet të zgjidhet përmes krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky shtet po ashtu kërkoi që të mbahen përgjegjës të përfshirët në sulmin në Banjskë.
Franca kërkoi që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së.