Sllovenia kërkon që palët të kthehen në dialog
Përfaqësuesi i Sllovenisë në OKB kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të vazhdojnë të përkushtohen ndaj dialogut, duke shtuar se përparimi dhe normalizimi janë thelbësorë që të dyja palët të vazhdojnë rrugën e tyre drejt BE-së.
Sa i përket vendimit për ndalimin e dinarit, Sllovenia shprehu shqetësim për serbët që marrin mbështetje financiare nga Serbia, por vuri në pah se autoritetet në Kosovë kanë mundësuar një periudhë tranzicioni.
Sllovenia kërkoi që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të kenë ndikim në normalizimin e raporteve.
Britania kritikon Kosovën për rregulloren e BQK-së
Mbretëria e Bashkuar tha se veprimet e fundit të Kosovës kanë pasur për synim të rregullojnë operacionet me valuta të huaja, por zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, deri më tani ka treguar se ka shpërfillur ndikimin që kjo rregullore ka ndaj komuniteteve joshumicë në Kosovë.
Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar bëri thirrje për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe kërkoi që Kosova dhe Serbia të respektojnë zotimet ekzistuese të dialogut dhe të shmangin veprime të njëanshme.
Mbretëria e Bashkuar po ashtu i bëri thirrje Serbisë që të mbajë përgjegjës personat që u përfshin në sulmin në Banjskë.
Kina: Veprimet e njëanshme nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës
Përfaqësuesi i Kinës në OKB bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut, duke dënuar veprimet “e njëanshme” të Kosovës, sa i përket ndalimit të dinarit.
“Veprimet e njëanshme nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe as nuk kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin e rajonit. I bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet dhe të heqë dorë nga vendimin për dinarin dhe të heqë dorë nga veprimet që mund të tensionojnë situatën”, tha përfaqësuesi kinez.
Ai tha se tensionet ndëretnike në Kosovë , “kërcënojnë stabilitetin dhe paqen në rajon dhe kjo nuk është në interesin e askujt”, duke përsëritur se qëndrimi i Kinës mbetet i njëjtë, që mes palëve të ketë një zgjidhje politike që do të respektonte integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.
SHBA ngre shqetësime për “kërcënimet e sigurisë që vijnë nga jashtë”
Ambasadorja amerikane në OKB, , Linda Thomas-Greenfield, po ashtu foli për çështjen e sigurisë në Kosovë dhe për sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023.
Ajo tha se “kërcënimet akute të sigurisë dhe stabilitetit vijnë jashtë Kosovës”.
Ajo sërish dënoi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë nga një grup i serbëve të armatosur, duke theksuar se personi që ka marrë përgjegjësinë për sulmin, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
“Katër muaj kanë kaluar që nga sulmi dhe Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjës të përfshirët në planifikimin dhe ekzekutimin [e sulmit në Banjskë]. Lideri i vetëshpallur i sulmit është i lirë në Serbi”, tha Thomas-Greenfield.
Dialogu i BE-së, tha ajo, është mekanizmi për zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë “në mes të këtij cikli krizash”.
“Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi i zbatimit të saj janë ligjërisht të obligueshme”, tha ajo.