Ndërlidhjet

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 8 shkurt 2024.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 8 shkurt 2024.

Kosova dhe Serbia këmbejnë akuza, SHBA kërkon pezullimin e vendimit të BQK-së

Pse u diskutua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?

  • Me kërkesë të Serbisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së debatoi për situatën në Kosovë, pas disa vendimeve të Qeverisë së Kosovës
  • Kosova dhe Serbia këmbyen akuza për vendimin për ndalimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë. Serbia e cilësoi si "sulm ndaj serbëve", ndërkaq Kosova tha se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës synon të mbrojë qytetarët nga aktivitetet e paligjshme
  • Anëtarët e Këshillit të Sigurimit i kërkuan Serbisë që të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin në Banjskë dhe që Kosova e Serbia t'i kthehen dialogut për normalizimin e raporteve
22:36 8.2.2024

SHBA-ja sërish kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores së BQK-së

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se shteti i saj ka shprehur shqetësimet lidhur me rregulloren e BQK-së.

“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.

Sipas saj, ndërprerja e dërgesave për përfitimet shoqërore duhet të minimizohet “derisa të përfundojë tranzicioni dhe ne po ashtu i bëjmë thirrje Qeverisë serbe që të bashkëpunojë në këtë drejtim”.

Ambasadorja amerikane po ashtu shprehu shqetësim për "veprimet e pakordinuara të Qeverisë së Kosovës" sa i përket mbylljes së zyrave të institucioneve që Serbia mbështet në Kosovë dhe për mbylljen e zyrës së një organizate joqeveritare serbe në Prishtinë.

"Këto veprime nuk janë në përputhje me zotimet e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të adresuar çështjet që prekin mirëqenien e komunitetit serb dhe minojnë rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë".

22:29 8.2.2024

SHBA kërkon që palët të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t'i kthehen dialogut.

“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese dhe u bëjmë thirrje të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm”.

Ajo tha se Uashingtoni është i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Është qëllimi që ne dhe partnerët tanë kemi vendosur për të nxitur demokracinë, integrimin ekonomik rajonal, shoqërinë multientike dhe sundimin e ligjit”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Ambasadorja amerikane në OKB tha se ky institucion nuk duhet të jetë kanali për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të jem e qartë, është dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe jo Këshilli i Sigurimit që duhet të jetë kanal për të zgjidhur çështjet që lidhen me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

22:16 8.2.2024

Rusia e akuzon Kosovën për “spastrim etnik” ndaj serbëve

Përfaqësuesi i Federatës Ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e akuzoi Kosovën se po kryen veprime që përbëjnë “spastrim etnik” që tha se po injorohen nga organizatat për të drejtat e njeriut.

Ai paralajmëroi se në Ballkanin Perëndimor mund të shpërthejë një konflikt i ri, duke e krahasuar situatën e palestinezëve në Rripin e Gazës me serbët që jetojnë në Kosovë.

Ai tha se ndalimi i dinarit “është një hap kriminal dhe ua bën jetën e padurueshme qytetarëve” serbë, sepse sipas ambasadorit rus, serbët rrezikojnë të mbesin pa paga, pensione dhe ndihma të tjera që pranojnë nga Serbia.

22:09 8.2.2024

Kurti: Serbia të ndalë financimin e kriminelëve dhe terroristëve në Kosovë

Në fjalën e tij para OKB-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Banka Qendrore e Kosovës po sigurohet mbështetja financiare për serbët në Kosovë nga Serbia të mos pengohet.

“BQK i ka dërguar një letër Bankës Popullore serbe, duke i propozuar një marrëveshje. Qeveria jonë është plotësisht e përkushtuar për të siguruar një tranzicion të lehtë”, tha ai.

Kurti tha se rregullorja e BQK-së nuk synon të dëmtojë asnjë grup të qytetarëve, por mbron të gjithë qytetarët e çdo etnike nga krimi i organizuar, trafikimi i armëve dhe pastrimi i parave.

Sipas Kurtit, qytetarët në veri të Kosovës, përditë po kërcënohen nga grupet kriminale që pranojnë para të kontrabanduara kryesisht nga kufiri me Serbinë.

“Qytetarët tanë serbë përballen me frikësim nga grupet kriminale që diktojnë veprimet e tyre nga protestat deri te votimi. Mosbindja rezulton në dhunë, djegie të veturave apo kërcënime të anëtarëve të tyre të familjes. Kjo duhet të ndalojë. Beogradi nuk duhet të durohet që pafundësisht të financojë këta kriminelë dhe terroristë në Kosovë me dërgesa të padeklaruara të parave, që qarkullojnë lirshëm dhe në mënyrë të paligjshme për në shtetin tonë. Ky është burimi i histerisë së Beogradit për këtë rregullore bankare”, tha Kurti.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG