Kurti: BQK-ja nuk ia ndalon Serbisë të ndihmojë serbët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rregullorja e BQK-së nuk ia ndalon Qeverisë serbe që të ofrojë mbështetje financiare për serbët në Kosovë.
“Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, rregullorja synon që të ofrojë transparencë dhe ligjshmëri sa i përket importit të parave në Kosovë, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe politikës monetare të Bashkimit Evropian.
Kurti flet për akuzën e spastrimit etnik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu përgjigjur akuzave të Vuçiqit, tha se gjuha serbe është zyrtare kudo në Kosovë dhe buxheti për komunat ku jetojnë serbët është më i lartë krahasuar me komunat e tjera.
“Ideja që Kosova po kryen fushatë të spastrimit etnik apo përndjekje është gënjeshtër”, tha Kurti.
Kurti i cilëson të rreme akuzat e Vuçiqit për shkeljen e të drejtave të serbëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi fjalën e tij para OKB-së duke i cilësuar si “të rreme” pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë.
Ai tha se këto akuza po bëhen nga një shtet, që sipas tij, ka qeverisje autoritare.
Vuçiq: Serbët po largohen për shkak të dhunës sistematike
Vuçiq tha se serbët në Kosovë po përndiqen nga gjyqësori në Kosovë.
Ai pretendoi se mbi 14 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova. Sipas tij, ata janë larguar për shkak të dhunës sistematike dhe të përhapur ndaj tyre nga institucionet e Kosovës.
Vendimi për dinarin, sipas tij, është shembulli i fundit i përndjekjes ndaj serbëve në Kosovë.