Kupchan: Kurti dhe Vuçiq po e vështirësojnë zgjidhjen duke luajtur me karta nacionaliste
Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Charles Kupchan, ka komentuar për Radion Evropa e Lirë debatin e nxehtë mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
"Ky është edhe një tjetër rund i dialogut të ashpër mes Kurtit dhe Vuçiqit. Pavarësisht faktit se Marrëveshja e Ohrit, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është në tryezë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duket se po kthehen prapa dhe nuk po ecin përpara", ka thënë Kupchan, aktualisht profesor në Universitetin Georgetown.
"Unë mendoj se kryeministri Kurti është duke bërë disa veprime të panevojshme provokuese. Ka qenë çështja e letërnjoftimeve, e targave, e instalimit të kryetarëve [shqiptarë] në veri, për të cilët ka votuar një përqindje shumë e vogël e banorëve... tani u thotë serbëve se nuk mund t’i përdorin dinarët më, ekziston vetëm një monedhë zyrtare dhe ajo është euroja", ka deklaruar ai.
"A i ka të justifikueshme këto gjëra? Po, sepse çdo vend sovran duhet të jetë në gjendje të thotë se ne kemi monedhën tonë, euro... ose të ketë një autoritet përgjegjës për lëshimin e targave", është shprehur ai.
"Por, duket se Kurti po i ndërmerr këto veprime duke luajtur me një kartë nacionaliste - me ç’gjë e vështirëson përparimin e Marrëveshjes së Ohrit", ka vlerësuar Kupchan.
Intervistën e plotë të Kupchanit për Radion Evropa e Lirë mund ta lexoni këtu.
Të dashur lexues, këtu e mbyllim blogun për debatin në OKB. Për më të rejat e fundit na ndiqni në rubrikën e lajmeve. Faleminderit që ishit me ne!
Në videon më poshtë mund të shikoni të përmbledhura disa prej përplasjeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Lexues të nderuar,
Në tekstin e mëposhtëm gjeni një përmbledhje të seancës në OKB, ku u diskutua për situatën në Kosovë, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb
Kurti: Nuk duam të hakmerremi
Seanca e OKB-së u përmbyll me adresimin e dytë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai tha se Serbia duhet të ndalojë së “fantazuari” se Kosova po kërkon hakmarrje për vrasjet dhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës.
“Ne nuk do të hakmerremi. Dua drejtësi dhe drejtësi është drejtësi duke mos qenë hakmarrje. Në mënyrë që të kemi paqe, raporte normale, ata duhet të ndalen së fantazuari se ne po kërkojmë hakmarrje. Unë si kryeministër iu garantoj se nuk po kërkojmë hakmarrje”, tha ai.
Pas këtij fjalimi, Vuçiq u dëgjua duke kërkuar fjalën dhe duke thënë se “do të ketë drejtësi për njerëzit tanë”. Por kryesuesja e mbledhjes, nuk ia dha fjalën liderit serb e shpalli të mbyllur seancën.