Pas samiti në Egjipt, Trump niset për në SHBA
Pas qëndrimit për disa orë në Egjipt, ku nënshkroi planin për paqe në Gazë së bashku me Egjiptin, Katarin dhe Turqinë, presidenti amerikan, Donald Trump, është larguar nga Sharm el-Sheik.
Më herët gjatë ditës, ai qëndroi në Izrael ku mbajti një fjalim në Parlamentin palestinez pas lirimit të pengjeve të gjalla izraelite që mbaheshin në Gazë dhe lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.
Trump deklaroi se lufta në Gazë ka përfunduar dhe e ka cilësuar si agim historik në Lindjen e Mesme marrëveshjen e armëpushimit në Gazë.
Lexues të nderuar,
Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite – zhvillime që shënuan hapat e parë drejt paqes në konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve.
Njëzet pengje të gjalla që mbaheshin nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – u liruan, në bazë të një plani 20 pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump, që mundësoi edhe armëpushimin në Gazë.
Pamje emocionuese u panë gjatë ribashkimit të pengjeve izraelite me familjarët e tyre, por edhe të palestinezëve të burgosur që u takuan me familjarët e tyre pas lirimit. Izraeli tha se ka liruar afër 2.000 palestinezë nga burgjet e tij.
Përveç pengjeve të gjalla, Hamasi ka dorëzuar te Kryqi i Kuq – i cili më pas i ka transferuar Izraelit – mbetjet mortore të katër pengjeve të vdekur.
Trump qëndroi gjatë ditës në Izrael për të përcjellë nga afër këtë ngjarje. Gjatë qëndrimit atje, ai iu drejtua Parlamentit izraelit. Gjatë fjalimit ai tha se të gjithë janë dëshmitarë të një agimi historik të një Lindjeje të Mesme të re.
Tani do të jetë “koha e artë për Izraelin, koha e artë për gjithë rajonin”, u shpreh Trump.
Më pas Trump u nis drejt Egjiptit, ku së bashku me udhëheqësin e këtij shteti, udhëhoqi një samit të paqes në Lindjen e Mesme. Gjatë samitit, Trump dhe udhëheqësit e Egjiptit, Katarit dhe Turqisë nënshkruan planin për paqe në Gazë.
Udhëheqësi amerikan tha se lufta ka marrë fund në Gazë dhe se më në fund lutjet e miliona personave u dëgjuan.
Ai tha se në mënyrë që Gaza të rindërtohet, duhet që fillimisht të çarmatoset.
Faleminderit që na ndoqët!