Gëzimi për kthimin e palestinezëve në shtëpi
Mediat janë duke raportuar se ka shumë palestinezë që kanë arritur në spitalin Nasser në Gazë, për t’i parë familjarët që janë liruar nga burgjet izraelite.
Ata e kanë përshkruar të hënën si ditë të bukur dhe të mbushur me gëzim.
Zyrtarë palestinezë kanë bërë të ditur se 38 autobusët e parë me të ndaluar nga burgjet izraelite tashmë kanë kaluar në territorin e Gazës.
Duartrokitje të gjata për zyrtarët amerikanë në Parlamentin e Izraelit
Fjalimet tashmë kanë nisur në Parlamentin e Izraelit, ku do të flasë edhe presidenti amerikan, Donald Trump.
Në objekt janë edhe disa zyrtarë të lartë amerikanë – përfshirë Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio dhe atë të Luftës, Pete Hegseth - të cilët janë pritur me duartrokitje të gjata.
Netanyahu nuk merr pjesë në samitin në Egjipt
Ndonëse ka pasur ftesë për të marrë pjesë në samitin ndërkombëtar në Egjipt për të diskutuar paqen në Gazë dhe Lindjen e Mesme, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se ai nuk do të jetë aty, për shkak të periudhës së afërt me festën hebreje Sukkot.
“Kryeministri e ka falënderuar presidentin Trump për përpjekjet e tij për ta zgjeruar qarkun e paqes – paqen përmes forcës”, është thënë në deklaratë.
Ndonëse ka armëpushim në Gazë, një marrëveshje për paqe afatgjatë ende duhet diskutuar.
Në samit do të marrin pjesë rreth 20 liderë botërorë, përfshirë liderë të Francës, Britanisë, Italisë dhe Spanjës.
Netanyahu: Sa gjatë e kemi pritur këtë moment
Para se presidenti amerikan, Donald Trump të flasë në Parlamentin izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se 13 tetori “do të shkruhet në histori” dhe që edhe presidenti Trump “do të jetë përgjithmonë në historinë e kombit tonë” dhe të botës.
“E kemi pritur gjatë këtë moment, dhe dua t’ju falënderoj personalisht në emër të gjithë kombit”, i ka thënë Netanyahu, Trumpit.
Ai i ka falëndëruar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e ofruar ndaj Izraelit përgjatë gjithë kohës.
“Donald Trump është miku më i mirë që shteti i Izraelit ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë ai.
Ai e ka përshkruar planin e Trumpit për paqe si hap të rëndësishëm drejt paqes.
“Jam i përkushtuar për këtë paqe, ju jeni të përkushtuar për paqe dhe së bashku do të arrijmë paqe”, ka thënë ai mes tjerash gjatë fjalimit.
Ai ka thënë se beson që Trump do të ndihmojë që Izraeli t’i normalizojë marrëdhëniet me më shumë shtete arabe.