Familjarët nisin të takohen me pengjet
Omri Miran, 48-vjeçar, është parë duke u bashkuar me gruan e tij Lishay në pikën fillestare të pritjes në jug të Izraelit.
Omri është marrë peng nga shtëpia e tij në Nahal Oz më 7 tetor 2023.
Lishay pati thënë se e ka parë për herë të fundit duke e larguar me makinë.
Në prill të vitit 2025, Hamasi – grup i shpallur terrorist – e pati publikuar një video kur shihej Omri duke shënuar ditëlindjen e 48-të.
Lishay pati thënë prej atëherë se e ka ditur që Omri ka mbijetuar.
Çfarë ka ndodhur deri më tani?
Pengjet izraelite
- Të gjitha 20 pengjet e gjalla izraelite janë liruar nga Hamasi - grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.
- Ato kanë qenë të ndara në dy grupe – fillimisht janë liruar shtatë persona në mëngjes dhe 13 tjerë më vonë gjatë ditës.
- Trupat e atyre që kanë vdekur ende nuk i janë dorëzuar Izraelit.
Të burgosurit palestinezë
- Mbi 1.700 të ndaluar nga Gaza dhe 250 të burgosur palestinezë pritet të lirohen sot nga autoritetet izraelite.
- Disa automjete janë parë duke bartur njerëz nga burgu Ofer në Izrael.
- Spitalet në Gazë janë duke u përgatitur për kthimin e tyre.
Donald Trump
- Presidenti amerikan, Donald Trump ka arritur në Parlamentin e Izraelit, ku do ta mbajë një fjalim.
- Ai do të takohet edhe me familjarë të pengjeve, para se të niset për në Egjipt për të nisur samitin për paqe në Lindje të Mesme.
- Në samit pritet të marrin pjesë 20 liderë të shteteve më të fuqishme në botë.
BE-ja do ta rikthejë misionin në Rafah
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian do ta rikthejë misionin vëzhgues në pikën kufitare mes Gazës dhe Egjiptit.
“Garantimi i paqes në Gazë do të jetë jashtëzakonisht kompleks”, ka deklaruar Kallas përmes një postimi në X – dikur Twitter.
“BE-ja është e gatshme ta bëjë pjesën e vet. Të mërkurën do ta rikthejmë misionin civil për të vëzhguar pikën kufitare mes Gazës dhe Egjiptit”.
Edhe 13 pengje tjera në rrugë për në Izrael
Mediat izraelite janë duke raportuar se grupi i dytë me 13 pengje i është dorëzuar Kryqit të Kuq në jug të Gazës dhe tani të gjithë janë në rrugë për në Izrael.
Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të takohet gjatë ditës me disa familjarë të pengjeve.